Më 28 prill 2021 Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) në bashkëpunim me Agjencinë për Barazi Gjinore në Kosovë / Zyra e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, kanë lansuar online raportin “Nga Ligjet në Vepra: Monitorimi i reagimit institucional ndaj dhunës me bazë gjinore në Kosovë”.
Me mbështetje financiare nga Agjencia Austriake për Zhvillim (ADA), njësia operacionale e Bashkëpunimit Austriak për Zhvillim, ky raport i realizuar nga RrGK vlerëson sa është përafruar korniza ligjore e Kosovës me Konventën e Stambollit, e ratifikuar nga Kuvendi i Kosovës vitin e kaluar, si dhe zbatimin nga institucionet përgjegjëse të kornizës ligjore për adresimin e dhunës me bazë gjinore, duke përfshirë këtu Strategjinë Kombëtare kundër Dhunës në Familje dhe Planin e Veprimit 2016-2020.
Lansimi i këtij raporti bëri bashkë përfaqësues të institucioneve të Kosovës, organizata ndërkombëtare, si dhe organizata të shoqërisë civile për të drejtat e grave.
Ariana Qosaj-Mustafa, Kryetare e Bordit, RrGK ka theksuar rëndësinë që ky raport ka në adresimin e dhunës me bazë gjinore në Kosovë.
“Raporti Nga ligjet në vepra shikon sa kemi zbatim të disa prej parimeve më të rëndësishme të përcaktuara nga Konventa e Stambollit lidhur me luftimin e dhunës me bazë gjinore, si dhe tregon deri në çfarë mase institucionet e Kosovës kanë gatishmëri t’i zbatojnë këto detyrime. RrGK me punën e saj edhe kësaj radhe tregohet një zë i fuqishëm në parandalimin dhe luftimin e dhunës ndaj grave.”
Edi Gusia, Kryeshefe Ekzekutive, Agjencia për Barazi Gjinore, Zyra e Kryeministrit të Republikës së Kosovës ka vënë theksin te koha e duhur e publikimit të këtij raporti.
“Jemi dëshmitarë që në dy vitet e fundit kemi humbur jetë grash pikërisht si pasojë e recidivizmit, të rasteve të cilat kanë qenë një kronikë e paralajmëruar e vrasjes dhe fatkeqësisht nuk kemi arritur të shpëtojmë jetën e këtyre grave. Besoj që ky është një alarm për të gjithë ne si shoqëri e cila synon sundimin e ligjit. Është momenti i fundit që të koordinohemi, dakordohemi, të kemi përgjegjësi të ndara. Të ketë shumë më tepër llogaridhënie institucionale karshi fenomenit të trajtimit, por mbi të gjitha edhe parandalimit”, u shpreh ajo, teksa ka shtuar se ABGJ mbetet e përkushtuar për bashkëpunime të mëtejshme me RrGK-në.
Tutje, Nita Shala, Zëvendës Ministre e Drejtësisë, Koordinatore Nacionale në Mbrojtje nga Dhuna në Familje, ka thënë se adresimi institucional i fenomenit të dhunës në familje është ndër prioritetet e Qeverisë së Kosovës.
“Në përmbushje të mandatit tim, si Zëvendës Ministre e Drejtësisë dhe Koordinatore Nacionale kundër Dhunës në Familje, synoj bashkërendimin dhe aktivizimin ndër-institucional në parandalim, mbrojtje dhe siguri, përkrahje, trajtim dhe riintegrim, me vullnetin për të ndërtuar një përgjigje institucionale efektive kundër këtij fenomeni.”
Kurse, Sandra Horina, Këshilltare dhe Udhëheqëse e Zyrës Koordinuese të Bashkëpunimit Austriak për Zhvillim në Prishtinë, ka shprehur përkushtimin e saj për një botë pa dhunë me bazë gjinore.
“ADA ka nderin që po mbështet këtë raport të realizuar nga RrGK. Luftimi i dhunës me bazë gjinore duhet të jetë prioritet për institucionet e Kosovës, dhe është prioritet për ne po ashtu. Ne jemi optimistë të besojmë që falë përpjekjeve të RrGK-së dhe institucioneve përkatëse ky rrugëtim po shkon në drejtimin e duhur”.
Ndër rekomandimet kyçe janë:
- Të krijohet një Ligj i ri për Mbrojtjen nga të Gjitha Format e Dhunës me Bazë Gjinore për të zëvendësuar Ligjin për Mbrojtje nga Dhuna në Familje,
- Të miratohet Draft-Kodi i Procedurës Penale për të përmirësuar të drejtat e viktimave,
- Të zhvillohet dhe miratohet një Strategjie Kombëtare gjithëpërfshirëse dhe Plani i Veprimit që adreson të gjitha format e dhunës me bazë gjinore,
- Të ndryshohet Ligji për Shërbimet Sociale dhe Familjare për të përfshirë të gjitha shërbimet e mbrojtjes, rehabilitimit dhe riintegrimit të parashikuara në Konventën e Stambollit,
- Të sigurohen trajnime për të gjitha institucionet përgjegjëse për të gjitha format e dhunës me bazë gjinore, veçanërisht dhunës seksuale, ku përdoret qasja që ka në qendër viktimën dhe rasti trajtohet me empati,
- Të sigurohet që institucionet të mos e vazhdojnë praktikën e pajtimit të çifteve, e cila shpesh i vë viktimat në rrezik,
- Të bëhet institucionalizimi i arsimit që do të transformojë normat tradicionale gjinore dhe marrëdhëniet e pushtetit, drejt parandalimit të dhunës.
- Përmirësimi i kapaciteteve financiare dhe njerëzore të mekanizmave komunalë të koordinimit dhe punonjësve socialë për të krijuar dhe zbatuar plane gjithëpërfshirëse për rehabilitimin dhe ri-integrimin e viktimave,
- Të sigurohen alokime adekuate buxhetore për trajtimin e duhur të dhunës me bazë gjinore,
- Të sigurohet që të gjitha komunat të kenë një prokuror të specializuar në rastet e dhunës me bazë gjinore dhe që raste të tilla t’u ndahen atyre.
Raporti i plotë do të publikohet së shpejti në web faqen e RrGK-së, në gjuhën shqipe, angleze dhe atë serbe.