Sot, më 12 dhjetor, Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) mbajti Kuvendin e 18-të Vjetor të Anëtareve.
Sado që ky takim u mbajt virtualisht përmes platformës Zoom, të pranishme ishin shumë përfaqësuese të organizatave anëtare, partnerë, miqë, kolegë dhe përkrahës të punës dhe aktivizmit shumë vjeçar të RrGK-së.
Kuvendin e hapi Ariana Qosaj-Mustafa, Kryetare e Bordit të RrGK-së, e cila shprehi kënaqësi dhe krenari për këtë mbledhje ku u prezantuan arritjet e RrGK-së.
“Kuvendin asnjëherë nuk e kemi mbajtur në këto kushte, mirëpo besoj se prapë do të kalojmë kohë të mirë dhe produktive. Ju uroj mirëseardhje dhe falënderoj të gjithë përkrahësit e misionit të RrGK-së dhe organizatat anëtare.”, tha ajo.
Punën dhe kontributin e RrGK-së e vlerësoi lart edhe Edi Gusia, Kryeshefe Ekzekutive, Agjencia për Barazi Gjinore, Zyra e Kryeministrit.
“Faleminderit që ma dhatë mundësinë që të bashkëngjitem në Kuvendin e 18-të vjetor të RrGK-së. Në emër të ABGj-së ju falënderoj për bashkëpunimin që e kemi pasur gjatë vitit 2020 dhe besoj që këtë bashkëpunim do ta thellojmë edhe më shumë në vitin që vjen.”, u shpreh Gusia.
Nevenka Rikallo, Koordinatore, OJQ Ruka Ruci, Anëtare e RrGK-së, po ashtu çmoi mbështetjen e RrGK-së ndër vite.
“Më vjen shumë mirë që sot kemi mundësinë të jemi këtu së bashku. Tani kemi një nismë të përbashkët katër vjeçare me RrGK-në për ngritjen e kapaciteteve të grave në politikë. RrGK vazhdimisht na ka përkrahur në rrugëtimin tonë për përmirësimin e të drejtave të grave.”, tha ajo.
Drejtorja Ekzekutive e RrGK-së, Igballe Rogova duke falënderuar anëtaret, bordin edhe përkrahësit për mbështetjen dhe besimin e vazhdueshëm për punën e RrGK-së, ka thënë:
“Duke e ditur se të gjitha ne do të donim të ishim së bashku, unë ju falënderoj dhe përshëndes të gjithëve për bashkëpunimin e pashoq që kemi në arritjen e synimit tonë për barazi gjinore.”
Tutje, Selma Cekic Dincsoy, Person kontakti për Çështje Gjinore, Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, Sandra Horina, Këshilltare dhe Udhëheqëse e Zyrës, Bashkëpunimi Austriak për Zhvillim për Kosovën, Vlora Tuzi-Nushi, Udhëheqëse e Zyrës në Kosovë, UN Women, dhe Yllka Soba, Udhëheqëse e Programit në Kosovë, Fondacioni Kvinna till Kvinna njëzëri vlerësuan kontributin e RrGK-së në përmirësimin e jetës së grave dhe vajzave të të gjitha komuniteteve në Kosovë. Ato shprehën vullnet dhe gatishmëri për vazhdimin e bashkëpunimit me RrGK-në edhe në të ardhmen.
RrGK për herë të tretë ka ndarë çmimin vjetor “Sevdije Ahmeti”, i themeluar për nder dhe në kujtim të aktivistes feministe dhe humanistes Sevdije Ahmeti (1944-2016). Këtë vit ky çmim iu nda aktivistes Safete Rogova për kontributin e saj në fuqizimin dhe arsimimin e grave dhe vajzave.
“Edhe pse në kohë pandemie RrGK nuk u ndal kurrë së punuari. Ju falënderoj nga zemra që sot më nderuat me çmimin “Sevdije Ahmeti”. Për mua, Sevdija mbetet ndër gratë më të fuqishme që Kosova ka pasur ndër vite.”, u shpreh ajo.
Pasi që RrGK e vlerëson Kuvendin si mundësi tejet të mirë për të ndarë informata dhe për të rritur solidaritetin ndërmjet grave, stafi i RrGK-së ka raportuar për punën e bërë gjatë vitit 2020, duke u përqendruar në gjashtë programet e Strategjisë 2019-2022. Kurse, në pjesën e dytë të takimit Zana Hoxha dhe Nermin Mahmuti u zgjodhën anëtare të reja të Bordit.
Puna e RrGK-së gjatë këtij viti u mbështet nga Agjencioni Austriak për Zhvillim (ADA), Agjencia Suedeze për Zhvillim Ndërkombëtar (Sida), Bashkimi Evropian (BE), Fondacioni Kvinna till Kvinna, Sweden Sverige, UN Women dhe Zyra e Bashkimit Evropian (BE) në Kosovë.