Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) më 15 shkurt, me përfaqësuese të organizatave anëtare, ka mbajtur punëtori mbi të drejtat për kujdes shëndetësor dhe mekanzimat për realizimin e tyre.
Kjo punëtori është udhëhequr nga Besim Kodra, jurist dhe eksperti i shëndetësisë, i cili i ka informuar organizatat e pranishme më shumë rreth të drejtave të njeriut në kujdesin shëndetësor dhe mekanizmat e trajtimit të ankesave në kujdesin shëndetësor.
“Çdo qytetar ka të drejtën e qasjes së barabartë në shërbimet shëndetësore pa asnjë lloj diskriminimi”, tha Kodra.
“Pacientët duhet të inkurajohen për të dhënë një reflektim mbi shërbimet shëndetësore të ofruara” shtoi ai tutje.
Gjatë punëtorisë, fokus i veçantë u vu në të drejtat dhe përgjegjësitë e pacientit, të drejtat e pacientit për ankesë si dhe rrugët e zgjidhjes së ankesës dhe përfundimet potenciale.
Kurse, Elvana Gojani, Koordinatore e Koalicionit K10, Fondacioni Aksioni për Nëna dhe Fëmijë, vlerësoi këtë punëtori si shumë të të dobishme për informimin e çdo qytetari mbi të drejtat e tyre.
“Më vjen mirë që keni marrë këtë nismë, jo shumë qytetarë janë të informuar rreth të drejtave të tyre në kujdesin shëndetësor. Unë sot nga kjo punëtori mësova shumë se cilët hapa më duhet të ndjek për një shërbim më cilësor”, tha Gojani.
Punëtoria u përmbyll me diskutim rreth mekanizmave të ankesave dhe linjës telefonike falas për ankesat e qytetarëve në ofrimin e shërbimeve shëndetësore.
“Të Drejtat e Grave në Kujdesin Shëndetësor” është ndër programet kryesore të RrGK-së, përmes së cilit, ne, së bashku me organizatat anëtare, punojmë për rritjen e qasjes së grave në kujdes shëndetësor cilësor e të përballueshëm.
Kjo punëtori u financua nga Agjencia Austriake për Zhvillim (ADA) dhe bashkë-financohet nga Agjencia Ndërkombëtare për Zhvillim dhe Bashkëpunim (Sida).