Monitoruesit e ardhshëm të rasteve të diskriminimit në baza gjinore në tregun e punës, ishin pjesëmarrës në punëtorinë e organizuar nga Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK), më 2 mars në zyrën e RrGK-së.
Në këtë punëtori u diskutua mbi kornizën ligjore sa i përket diskriminimit në baza gjinore në tregun e punës si dhe mekanizmave institucional për raportimin e këtyre rasteve.
Në pjesën e parë të punëtorisë, Adelina Tërshani, Koordinatore e Projektit, RrGK, njoftoi pjesëmarrësit me gjetjet kryesore të hulumtimit të zhvilluar gjatë vitit 2019, duke vënë theksin mbi mungesën e raportimit të rasteve të diskriminimit në baza gjinore në tregun e punës.
“Frika nga humbja e vendit të punës, procedurat burokratike, mos njohja e institucioneve ku mund të raportohet janë vetëm disa prej faktorëve që kanë ndikuar në raportimin e ulët të rasteve të diskriminimit në baza gjinore në tregun e punës. Prandaj, ne duhet të sigurojmë mbështetje dhe monitorim korrekt të këtyre rasteve në mënyrë që qytetarët të mund të raportojnë pa frikë.”, tha Tërshani.
Kurse, në pjesën e dytë të kësaj punëtorie, Leonora Selmani nga Agjencia për Barazi Gjinore (ABGj), foli për kornizën e përgjithshme ligjore mbi diskriminimin në baza gjinore në punë.
Ndërsa në pjesën e tretë, pjesëmarrësit u ftuan të bëjnë punë praktike në lidhje me mekanizmat e trajtimit të rasteve konkrete të diskriminimit gjinor në vendin e punës, të dala nga raporti i RGK-së mbi këtë fushë.
Organizatat pjesëmarrëse të kësaj punëtorie ishin përfituesit e granteve të ndara në kuadër të kësaj iniciative, gjegjësisht Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) si dhe Qendra Kosovare për Studime Gjinore (QKSGj).
Kjo punëtori u Financua nga Bashkimi Evropian dhe e Bashkëfinancua nga Bashkëpunimi Suedez për Zhvillim.