Prishtinë – 14 Mars 2019, Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) ishte pjesëmarrës në tryezën ku u diskutua për “Përgjegjësitë për edukimin e hershëm të fëmijëve – Roli shtetëror vs roli prindëror”. Ky eveniment u organizua në Kuvendin e Kosovës nga partia politike Lëvizja Vetëvendosje ku të pranishëm ishin deputetët nga parti të ndryshme politike, përfaqësues të shoqërisë civile, të qendrave ditore për përkujdesje të fëmijëve si dhe akterë tjerë relevant.
Duke u thirrur në hulumtimet e mëhershme të udhëhequra nga RrGK, Koordinatorja për Avokim Adelina Berisha prezantoi informacione dhe theksoi se si parakusht drejt barazisë gjinore është financimi dhe mbështetja e qendrave ditore të përkujdesjes së fëmijëve.
“Puna e grave pa pagesë e kujdesit për fëmijë zakonisht kalon pa u vënë re, megjithëse ajo është me rëndësi thelbësore për funksionimin e ekonomisë familjare, komunitetit, mirëqenies njerëzore, si dhe ekonomisë”, tha Znj Berisha. Ajo rikujtoi poashtu pjesëmarrësit se edhe Strategjia Kombëtare për Zhvillim 2016-2021 (SKZh) ka për qëllim, ndër të tjera, rritjen e numrit të çerdheve dhe institucioneve private të kujdesit për fëmijë.
Si përfundim Znj Berisha iu bëri thirrje qeverisë dhe deputetëve për ngritjen e iniciativave të tyre në shtimin e numrit të qendrave ditore të kujdesit të fëmijëve, e në këtë kontekst edhe për të moshuarit dhe personat me aftësi të kufizuara, në mënyrë që të inkurajojnë punësimin e grave si dhe ndarjen e përgjegjësisë së kujdesit të fëmijëve në mes të burrave dhe grave . Ajo poashtu theksoi rëndësinë që edukimi i hërshëm ka edhe për fëmijët, duke përmendur studime të ndryshme të cila dëshmojnë se investimi në edukim të hershëm të fëmijëve ndikon edhe në interesimin e tyre pëër të vazhduar edukimin në moshat madhore si dhe në punësimin e tyre.