RrGK ndan me shtetet arabe përvojat e saj në përcaktimin e kostos për dhunën në familje

Në 20-21 shtator, Komisioni Ekonomik dhe Social i Kombeve të Bashkuara për Azinë Perëndimore (ESCWA) dhe Fondi i Kombeve të Bashkuara për Popullsinë (UNFPA) e ftuan hulumtuesen kryesore të Rrjetit të Grave të Kosovës (RrGK), Nicole Farnsworth, që ta ndajë përvojën e Kosovës në përcaktimin e kostos për dhunën në familje, që u mbajt në Bejrut të Libanit me temë: “Hap pas hapi drejt përcaktimit të kostos për dhunën kundër grave në rajonin arab”.

Synim i takimit ishte prezantimi i praktikave më të mira nga një numër i ekspertëve nga akademia, shoqëria civile dhe qeveritë nga Irlanda, Mbretëria e Bashkuar, Spanja, Ukraina, Palestina, Danimarka, Arabia Saudite, Egjipti dhe Norvegjia të cilat do ta mbështesin përpilimin e një doracaku për t’i udhëzuar Shtetet Arabe rreth përcaktimit të kostos për dhunën në familje në aspektin metodologjik.

Pas shpjegimit të procesit, aktorëve të përfshirë, metodologjisë dhe gjetjeve kyçe nga publikimi i RrGK-së Me çfarë çmimi? Buxhetimi për zbatimin e kornizës ligjore kundër dhunës në familje në Kosovë (UNDP, 2012), Nicole i prezantoi mësimet kryesore të mësuara nga kjo përvojë, duke përfshirë:

·         Është proces: Ndryshimi i mentalitetit, ngritja e kapaciteteve dhe vendosja e sistemeve për grumbullimin e të dhënave, të gjitha këto kërkojnë kohë. Kjo punë kërkon një proces afatgjatë. Studimet e njëhershme në vetvete janë të pamjaftueshme. Aktivitetet e përcaktimit të kostos duhet të mbërthehen në një qasje gjithëpërfshirëse dhe holistike për t’i përmirësuar shërbimet e parandalimit, të mbrojtjes, të ndjekjes penale dhe të rehabilitimit.

·         Sistemet e institucionalizuara: Grumbullimi dhe raportimi i rregullt i të dhënave duhet të institucionalizohet brenda rolit, përgjegjësive, sistemeve dhe procedurave të rregullta të institucioneve, d.m.th. brenda proceseve buxhetore dhe procedurave standarde të punës së institucioneve që të cilat i trajtojnë rastet e dhunës në familje.

·         Pronësia lokale: Përcaktimi i kostos nuk duhet të kryhet për institucionet përgjegjëse por me institucionet përgjegjëse, ashtu që ato të mësojnë se si bëhet përcaktimi i kostos në mënyrë të pavarur dhe ta kuptojnë rëndësinë që ajo të bëhet pjesë të proceseve të rregullta buxhetore.

·         Angazhimi i organizatave dhe e lëvizjeve lokale: Në mungesë të shërbimeve shtetërore, në shumë vende grupet e të drejtave të grave kanë ofruar shërbime për personat që kanë vuajtur nga dhuna në familje për disa vjet apo madje edhe dekada. Ato posedojnë njohuri dhe ekspertizë të gjerë. Ato duhet të angazhohen plotësisht, ekspertiza e tyre të njihet dhe të kompensohet. Mbështetja e qëndrueshme për grupet e të drejtave të grave për të punuar në këto çështje me kalimin e kohës mund të kontribuojë në ndryshime të qëndrueshme.

 

Ajo ofroi shembuj specifik nga puna e vazhdueshme që bën RrGK-ja që nga viti 2006 në hulumtim dhe avokim lidhur me dhunën në familje dhe buxhetim të përgjegjshëm gjinor. Kjo, në bashkëpunim me aktorët tjerë të shoqërisë civile, siç janë strehimoret dhe Rrjeti Ballkanik i Gazetarisë Hulumtuese, me institucionet kryesore si Agjencia për Barazi Gjinore, Mbrojtësit e Viktimave dhe Policia, në mes tjerash, si dhe me aktorët ndërkombëtarë si UN Women, OSCE, UNDP dhe UNFPA, me koordinim të mirëfilltë, kontribuuan në progresin domethënës në Kosovë për adresimin e dhunës në familje dhe institucionalizimin e buxhetimit të përgjegjshëm gjinor.