Gjatë ditës së djeshme u bë publik lajmi se Gjykata e Apelit ka anuluar dënimin me burgim të përjetshëm nga Gjykata e Ferizajt për Naser Pajazitajn, i cili e ka vrarë Donjeta Pajazitajn.
Vendime si ky vetëm sa motivojnë dhunuesit e vrasësit e grave, kurse demotivojnë gratë dhe vajzat që përjetojnë dhunë për t’i raportuar krimet e për të kërkuar drejtësi për to.
Për më tepër, Rrejti i Grave të Kosovës (RrGK) rikujton se përveç Kodit Penal të Kosovës, edhe Konventa e Stambollit, e miratuar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, kërkon nga institucionet e drejtësisë që të mbrojnë viktimat e dhunës gjinore dhe të dënojnë pa kompromis dhunuesit e vrasësit e grave.
Përmes kësaj kumtese, RrGK kërkon që të merren parasysh të gjitha rrethanat rënduese në rastin e Naser Pajazitajt dhe të kthehet në fuqi dënimi me burgim të përjetëshëm për të. Po ashtu, procesi nuk duhet të lë hapësirë për rigjykim.
Që prej vrasjes së Donjeta Pajazitajt, RrGK ka bërë përpjekje të vazhdueshme përmes protestave, monitorimeve dhe reagimeve, duke bërë thirrje që drejtësia të vihet në vend dhe vrasësi të marrë dënimin e merituar.
RrGK do ta monitorojë edhe këtë rast për së afërmi dhe do të kërkojë drejtësi për Donjeta Pajazitajn, dhe për secilën grua të dhunuar e të vrarë.