RrGK: Parandalimi i dhunës duhet të nisë para se të përfundojë me femicid 

Brenda pak ditësh, në fund të muajit Gusht, dy gra u vranë në Kosovë nga bashkëshortët e tyre. Në Malishevë, një grua 25-vjeçare, shtatzënë, humbi jetën pasi u gjet e plagosur, ndërsa i dyshuari për vrasjen ishte bashkëshorti i saj. Ditë më vonë edhe ai vdiq. Vetëm pak ditë më vonë, në Prizren, një grua 80-vjeçare  u vra po ashtu nga i dyshuari bashkëshorti i saj. 

Dy vrasjet tronditëse u pasuan më vonë nga protesta e thirrur nga Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist, ku mori pjesë edhe Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK), me kërkesën që institucionet të veprojnë përpara se dhuna të përshkallëzohet deri në fatalitet. Në protestë, RrGK kërkoi më shumë punëtorë socialë për monitorim aktiv të grave në rrezik, monitorim dhe trajtim më të mirë të rasteve të dhunës, ndërhyrje në kohë dhe më shumë mbështetje për gratë që i mbijetojnë dhunës. RrGK kërkoi gjithashtu që grave që largohen nga dhunuesit t’u sigurohet mbështetje për qiranë, të financohen shërbimet sociale dhe gratë të mos lihen të vetme përballë dhunuesve. 

Këto dy raste tregojnë edhe një herë se gratë vazhdojnë të jenë të rrezikuara pikërisht në hapësirat ku duhet të jenë më të sigurta. Pas rastit tragjik në Malishevë, RrGK kërkoi që rasti të hetohet plotësisht, në mënyrë të pavarur dhe të shpejtë, ndërsa pas rastit në Prizren përsëriti kërkesën për hetim të plotë dhe llogaridhënie. Megjithatë, RrGK theksoi se reagimi pasi një grua është vrarë nuk është i mjaftueshëm. 

Parandalimi kërkon që institucionet të veprojnë shumë më herët: përmes vlerësimit të detajuar të rrezikut, zbatimit efektiv të urdhrave mbrojtës, monitorimit të kryesve të dhunës dhe bashkëpunimit ndërmjet policisë, prokurorisë, gjykatave dhe shërbimeve sociale. 

Duke folur për Klan Kosova, Drejtorja e Programit për Adresimin e Dhunës me Bazë Gjinore në RrGK, Adelina Berisha, theksoi se shoqëria dhe institucionet nuk duhet të reagojnë vetëm kur dhuna përfundon me fatalitet. 

“Po reagojmë pasi që po ndodh fataliteti. Nuk flasim në baza ditore sa e dëmshme është dhuna, sa i dëmshëm është diskriminimi gjinor, sa e dëmshme është pabarazia gjinore”, u shpreh ajo. 

Berisha theksoi se parandalimi duhet të nisë që në fëmijëri, përmes edukimit për trajtim të barabartë, ndërsa shoqëria duhet të jetë më e vëmendshme ndaj gjuhës dhe sjelljeve që normalizojnë mizogjininë dhe dhunën. 

“Nëse ne në baza ditore e tolerojmë dhunën, nuk duhet të na befasojë pse në ditën kur ndodhi më tragjikja”, tha ajo. 

Në një deklaratë për Radio Evropa e Lirë, RrGK theksoi se gratë po vriten dhe se shteti ende nuk po arrin t’i mbrojë ato në mënyrë efektive. Sipas RrGK-së, këto raste nuk mund të trajtohen si raste të izoluara, por tregojnë probleme më të thella në mënyrën se si dhuna ndaj grave parandalohet dhe trajtohet. 

RrGK ka rikujtuar edhe rastin e Hamide Magashit, e cila ishte shtatzënë dhe kishte urdhër mbrojtës aktiv kur u vra nga bashkëshorti i saj. 

“Nëse një grua që ka kërkuar mbrojtje nga shteti dhe ka një urdhër mbrojtës ende mund të vritet, atëherë ku po dështon sistemi?”, pyeti RrGK. 

Berisha, në një prononcim për Radio Televizionin 21, foli edhe për nevojën që përgjegjësia për dhunën të mos relativizohet përmes arsyetimeve që nuk e parandalojnë atë. Ndërsa, duke folur për T7, ajo theksoi rolin e mentalitetit patriarkal në dhunën ndaj grave. 

“Po flasim për burra të cilët mendojnë se kanë pushtet, e keqpërdorin atë pushtet, dhe i vrasin e ushtrojnë dhunë ndaj grave të tyre”, u shpreh ajo. 

Fortuna Shkodra Haliti, Menaxhere për Marrëdhënie me Publikun në RrGK, foli në KTV, duke theksuar se këto nuk janë raste të izoluara, por tregues të dështimeve sistemike në parandalimin dhe trajtimin e dhunës ndaj grave. Ajo veçoi edhe shqetësimin për dënimet e ulëta në rastet e dhunës në familje. 

Berisha, në TV Dukagjini theksoi se jeta e grave dhe vajzave vazhdon të jetë në rrezik dhe se duhet të veprohet para se të jetë tepër vonë. Ajo ngriti shqetësimin edhe për rastet ku nuk dihet historiku i dhunës dhe për dështimet e zinxhirit institucional në rastet e raportuara. 

Ndërkaq, Melisa Kadolli, Koordinatore Ligjore dhe Monitoruese Gjyqësore në RrGK, tha në RTK se ende nuk dihet qartë se cilët mekanizma kanë dështuar në këto raste specifike, por ato ngrenë një alarm serioz nëse shteti po arrin t’i mbrojë gratë dhe vajzat. 

Me dy gra të vrara brenda pak ditësh, RrGK thekson se nuk mund të pritet një tjetër fatalitet për të diskutuar sërish për nevojën e veprimit. Jeta e grave nuk mund të mbrohet vetëm pasi të humbet. Parandalimi duhet të ndodhë para se dhuna të përshkallëzohet dhe para se të jetë tepër vonë. 

RrGK u bën thirrje institucioneve që të ndërmarrin hapa konkretë, urgjentë dhe të koordinuar për parandalimin e dhunës ndaj grave, mbrojtjen e viktimave dhe garantimin e sigurisë së tyre. Hetimet për të dyja rastet duhet të jenë të plota, të pavarura dhe të shpejta, ndërsa përgjegjësit duhet të mbajnë përgjegjësi para drejtësisë. 

RrGK do të vazhdojë t’i përcjellë nga afër këto raste dhe zhvillimet institucionale lidhur me to, duke kërkuar që mbrojtja e grave të mos mbetet vetëm në ligje dhe deklarata, por të zbatohet në praktikë. 

Nëse jeni viktimë e dhunës me bazë gjinore, ose njihni dikë që përjeton dhunë, RrGK ofron këshillim ligjor falas në numrin 048 105 800.