RrGK përditëson Statutin e saj

 Me 1 korrik 2017, u mbajt mbledhja e radhës dymujore e anëtareve të Rrjetit të Grupeve të Grave të Kosovës (RrGGK), ku morrën pjesë përfaqësuese të organizatave anëtare, të stafit, Bordit dhe përkrahës tjerë të RrGGK-së.

            Duke pasur parasysh që rendi i ditës për këtë mbledhje ishte përditësimi dhe ndryshimi i Statutit të RrGGK-së, Igballe Rogova, Drejtore Ekzekutive e RrGGK, rikujtoi për të pranishmet informatën që qysh në Kuvendin Vjetor të Anëtareve, të mbajtur në dhjetor të vitit 2016, ishte diskutuar që të ndryshohet emri nga Rrjeti i Grupeve të Grave të Kosovës në Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK).
Tutje, nisur nga ndryshimi i emrit është vendosur që bazuar në modelin e fundit të Statutit të Organizatave Jo-Qeveritare (OJQ) të përditësohet edhe Statuti i RrGK-së.
Modeli i fundit i Statutit të RrGK-së ka qenë aprovuar me 4 dhjetor 2011, nga Kuvendi i Anëtareve, në mbledhjen e mbajtur në Durrës. Modeli i tanishëm është bazuar në modelin e fundit (17.10.2014) të publikuar në uebfaqen e Ministrisë se Administrates Pubike (MAP), departamenti për OJQ-të, në konsultim me Ligjin Nr.04/L-57 për Lirinë e Asociimit në Organizatat Joqeveritare, si dhe me disa komente dhe sugjerime shtesë nga anëtaret. Sipas këtij Ligji, ekzistojnë dy modele të Statuteve, nga Kuvendi ose Bordi, varësisht nga organi më i lartë qeverisës i Organizatës. Me qenë se RrGK organin më të lartë qeverisës ka Kuvendin e Anëtareve, të gjitha ndryshimet në 11 nene janë bazuar në modelin përkatës.
Pas rishikimit të të gjitha neneve, anëtaret u dakorduan dhe aprovuan të gjitha ndryshimet. Stafi i RrGK-së ka vazhduar tutje me procedurat të cilat kërkohen sipas zyrës së Departamentit të OJQ-ve në MAP, në mënyrë që të përmbyllet ky proces.
Mbledhja e ardhshme e anëtareve të RrGK do të mbahet me 11 shtator. Ky aktivitet është mbështetur nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë.