RrGK përgëzon Qeverinë e Re, bën thirrje për reforma urgjente për barazinë gjinore

Pas më shumë se një viti pasigurie politike dhe vonesash institucionale, Kosova më në fund ka formuar një qeveri të re, duke hapur rrugën për reformat dhe proceset legjislative të shumëpritura për të ecur përpara.

Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) i ka dërguar sot një letër Kryeministrit Albin Kurti duke e uruar atë për formimin e Qeverisë së re. Në të njëjtën kohë, Rrjeti shprehu shqetësim në lidhje me përqindjen e vogël të grave të emëruara si ministre. RrGK kujtoi se Ligji për Barazinë Gjinore parasheh përfaqësim të barabartë të grave dhe burrave në vendimmarrje (50%), duke theksuar se përfaqësimi i balancuar është si një detyrim ligjor ashtu edhe thelbësor për qeverisje demokratike.

Për më tepër, ndërsa Qeveria e re përgatitet të ecë shpejt përpara me reforma të konsiderueshme dhe legjislacion të ri, RrGK kërkoi integrimin sistematik të barazisë gjinore dhe të drejtave të grave në të gjitha fushat e politikave. Rrjeti bëri thirrje për disa ndryshime urgjente ligjore dhe politike, duke përfshirë: miratimin e një Ligji të ri të Punës në përputhje me Direktivën e BE-së për Balancin punë-jetë; vendosjen e treguesve të qartë të barazisë gjinore brenda Axhendës së Reformës së Kosovës në kuadër të Programit për Reforma dhe Rritje për Ballkanin Perëndimor; institucionalizimi i buxhetimit të përgjegjshëm ndaj gjinisë brenda ligjeve të ardhshme të financave publike; investime më të mëdha në shërbimet e kujdesit, drejt mundësimit të pjesëmarrjes së grave në fuqinë punëtore dhe transformimit të punës së papaguar në punë të paguar; dhe krijimi i një linje buxhetore të dedikuar brenda Agjencisë për Barazi Gjinore për të mbështetur organizatat e ndryshme të grave, veçanërisht në dritën e krizës aktuale të financimit.

Rrjeti shprehu gatishmërinë për të bashkëpunuar ngushtë me Qeverinë e re dhe të gjithë ministrat për mbrojtjen, promovimin dhe avancimin e të drejtave të grave në Kosovë.

Lexoni letrën e plotë këtu.