Sot ka filluar dita e dytë e Forumit të Hapur Rajonal, online, me temë “Statusi i Punësimit të Grave dhe Vajzave në Shqipëri dhe Kosovë, me praktikat më të mira nga rajoni”, i organizuar nga Qendra Aleanca Gjinore për Zhvillim (GADC) dhe Democracy for Development (D4D), me mbështetje të Ambasadës së Norvegjisë në Kosovë.
Në ditën e parë, përfaqësues të institucioneve dhe organizatave nga Kosova dhe Shqipëria, prezantuan sfidat e grave dhe vajzave në punësim, si dhe të dhënat shqetësuese në gjithë rajonin sa i përket pjesëmarrjes në fuqinë punëtore.
Përfaqësuesja e Rrjeti të Grave të Kosovës (RrGK) në këtë Forum, Nicole Farnsworth, Drejtore e Programit dhe Udhëheqëse e Hulumtimeve, prezantoi të gjeturat e raportit rajonal mbi diskriminimin në baza gjinore në tregun e punës, duke vënë theks të veçantë në nevojën për harmonizimin e ligjeve të rajonit me legjislacionin e BE-së.
“Ligji i Punës në Kosovë, përveç që nuk promovon të drejtat e grave, ai madje kontribuon në diskriminimin në baza gjinore ndaj grave dhe vajzave” , tha ajo, teksa nënvizoi nevojën që ky ligj të amandamentohet në pajtim me Direktivën e BE-së mbi Bilancin Punë-Jetë.
Zëvendës Ministrija e Ekonomisë dhe Ambientit në Kosovë, Burbuqe Bakija Dema përgëzoi organizimin e këtij Forumi duke thënë se lobimet e tilla në nivel rajonal kanë efekt të madh në përmirësimin e barazisë gjinore, sidomos në aspektin ekonomik.
Në anën tjetër,
Zëvendësministrja e Ministrisë Financave dhe Ekonomisë në Shqipëri, Dajna
Sorensen, foli për efektin që ka pasur pandemia në punësimin e grave dhe
vajzave, duke theksuar se kjo kategori është prekur më së shumti nga pandemia.
Me këtë rast ajo prezantoi programet e Qeverisë
së Shqipërisë për mbështetje të personave të prekur financiarisht nga COVID-19.
Këshilltarja për çështje gjinore në Zyrën e BE-së në
Kosovë, Reyes Charle, foli për punën
e papaguar të grave në shtëpi si faktor që shkakton mos-pjesëmarrjen e grave në
punësim me pagesë, duke theksuar nevojën që shteti të krijojë politika që i
njeh gratë si fuqi punëtore.
“Gratë janë pjesë e fuqisë punëtore dhe nuk mund të shihen vetëm si kategori e cila lind fëmijë, prandaj shteti duhet të krijojë politika që e njohin punën e grave”, tha ajo.
Jenny Stenberg Sørvold, Zëvendës Ambasadore, Ambasada Norvegjeze, Kosovë duke renditur sfidat të cilat u pamundësojnë grave pjesëmarrjen në fuqinë punëtore, theksoi se barazia gjinore duhet të jetë në zemër të agjendës ndërkombëtare.
Ju mund ta ndiqni këtë forum online në linkun në vijim: https://us02web.zoom.us/j/89854910545
Takimi: 898 5491 0545
Fjalëkalimi: 101923