RrGK prezanton hulumtimin në punëtorinë për barazi gjinore

Më 15 tetor 2025, ekspertja e arsimit Arbresha Meha mori pjesë në emër të Rrjetit të Grave të Kosovës (RrGK) në punëtorinë për barazi gjinore “Arsimi i Lartë i Qëndrueshëm dhe Hulumtimi në Kosovës”. Meha ndau gjetjet kryesore nga hulumtimi i ardhshëm i RrGK-së mbi edukimin seksual dhe barazinë gjinore në arsimin parauniversitar në Kosovë.

Meha theksoi se shkollat vazhdojnë të riprodhojnë stereotipe gjinore përmes gjuhës dhe ilustrimeve në tekstet shkollore, duke vënë në dukje se stereotipet që shfaqen në tekstet shkollore në arsimin e lartë e kanë burimin dhe janë të dukshme që në nivelet e hershme të arsimit. Edhe pse shumë mësimdhënës shprehin interes për të përdorur praktika mësimore të ndjeshme gjinore, atyre u ka munguar trajnimi i mjaftueshëm për të forcuar kapacitetet e tyre. Duke nënvizuar rëndësinë e mësimdhënësit si individ, Meha u shpreh se, ndonëse politikat vijnë nga nivele më të larta, “individët e bëjnë ndryshimin”. Ajo theksoi nevojën për më shumë trajnime për mësimdhënësit, mbështetje më të fuqishme institucionale dhe udhëzime të qarta për zbatimin e pjesëve specifike të kurrikulave.

Tema veçanërisht sfiduese që trajtohen në mënyrë të pamjaftueshme në shumë shkolla përfshijnë bullizmin dhe ngacmimin, si edhe edukimin seksual, të cilat shpesh mbeten tabu. Megjithëse edukimi seksual është pjesërisht i përfshirë në lëndët si Biologjia, mësimet shpesh fokusohen kryesisht në aspektet fizike, duke lënë pas dore dimensionet psikologjike dhe shoqërore. Trajtimi i këtyre temave mbetet i fragmentuar ku shumë mësimdhënës anashkalojnë disa pjesë të kurrikulës ose i lënë për studim në shtëpi. Kjo ndodhë për shkak se mësimdhënësit nuk ndihen të përgatitur për t’i adresuar ato dhe për shkak të normave më të gjera kulturore që ekzistojnë edhe jashtë klasës.

Meha solli si shembull një trajnim për mësimdhënës të organizuar nga RrGK-ja në vitin 2024. Pas trajnimit, u realizuan vëzhgime në klasë për të vlerësuar ndryshimet në qasjet e mësimdhënies. Të dhënat treguan rritje të vetëdijes dhe gatishmëri më të madhe të mësimdhënësve për të trajtuar temat e barazisë gjinore dhe edukimit seksual. Edhe pse një seancë e vetme e trajnimit nuk mjafton për ndryshim të qëndrueshëm, këto rezultate theksojnë rëndësinë e moduleve më të gjata dhe të dedikuara të trajnimit, të shoqëruara me monitorim dhe mbështetje të vazhdueshme. Meha theksoi se trajnimet mbi normat gjinore dhe pedagogjinë transformuese gjinore duhet të bëhen pjesë e detyrueshme e kualifikimeve të mësimdhënësve në arsimin e lartë.

“Nga dëshmitë te veprimi, kurrikulat e qarta, trajnimi i mësimdhënësve dhe mjediset mbështetëse në shkollë mund t’i kthejnë gjetjet e hulumtimeve në praktikë në klasë”, theksoi Meha.

Pengesa të tjera ndaj arsimit gjithëpërfshirës dhe të barabartë, të evidentuara gjatë punëtorisë si dhe në raportin e ardhshëm të RrGK-së, përfshijnë infrastrukturën e vjetruar shkollore. Shumica e shkollave nuk ofrojnë kushte të përshtatshme për nxënësit me aftësi të kufizuara dhe disa ende mbështeten në mjete mësimore të tejkaluara.

Hulumtimi i RrGK-së është realizuar në bashkëpunim të ngushtë me organizatat anëtare të RrGK-së, me Ministrinë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI) dhe me disa qeveri komunale, me mbështetjen financiare nga Agjencia Austriake për Zhvillim (ADC) dhe Suedia. RrGK synon të bashkëpunojë me MASHTI-n dhe me akterë të tjerë në sektorin e arsimit, sikurse SHER, për të përmirësuar ndjeshmërinë gjinore të arsimit, duke u bazuar në këto gjetje.

Programi SHER, i mbështetur nga ADC dhe MASHTI, synon po ashtu të promovojë arsim dhe hulumtim të ndjeshëm gjinor në Kosovë.