RrGK propozon masat për adresimin e COVID-19 nga perspektiva gjinore: Rekomandime për Qeverinë e Kosovës

Duke marrë parasysh se Qeveria e Kosovës nuk ka marrë për bazë integrimin e perspektivës gjinore në masat e ndërmarra kundrejt COVID-19,  rëndësinë e një analize gjinore qe do të mund të identifikonte nevojat e ndryshme të grave dhe burrave gjatë kësaj epidemie, mënyrat e ndryshme të ndikimit nga COVID-19, dhe e cila do të informonte politikat publike afatgjate dhe afatshkurtra, qoftë në aspektin ekonomik, shëndetësor, apo social, Rrjeti i Grave të Kosovës thërret Qeverinë për zbatim emergjent të rekomandimeve të mëposhtme:

Për Qeverinë e Kosovës:

  • Të zbatohet urgjentisht analizë gjinore gjithëpërfshirëse, për të informuar dhe orientuar masat e mëtutjeshme të qeverisë. Planet strategjike shtetërore dhe masat parandaluese kundrejt COVID-19 duhet të jenë të bazuara në analizë gjinore dhe të kenë integruar vlerësimin e ndikimit gjinor në pajtim me Ligjin për Barazi Gjinore (LBGj) dhe legjislacionin ndërkombëtar. Kjo duke marrë për bazë stereotipet gjinore, rolet gjinore, ndarjen e pabarabartë të përgjegjësive të kujdesit mes grave dhe burrave dhe dinamikat e tjera që rrjedhin si pasojë e këtyre të fundit. Karakteri informativ i analizës paraprake gjinore, do të siguronte që masat e parandalimit dhe të mitigimit që ndërmirren në vijim do të adresojnë barrën e punës së papaguar të grave, si dhe rritjen e rrezikut të ekspozimit ndaj dhunës në baza gjinore. Inkuadrimi i vlerësimit të ndikimit gjinor në kuadër të zbatimit të Analizës së Përgjithshme të Ndikimit Rregullator (ANRr), kontribuon në integrimin e denjë të perspektivës gjinore pasi që është një nga mjetet e ANRr-së që duhet të aplikohet njëkohësisht sa herë që propozohet, hartohet apo vlerësohet ndonjë kornizë e re rregullative.
  • Të përfshihen më shumë gra në hartimin e planeve dhe politikave për t’i bërë ballë virusit COVID-19 dhe në propozimin e masave me karakter afatshkurtër apo afatgjatë, sidomos sa i përket aspektit të mbrojtjes sociale, shëndetësore dhe dhunës në baza gjinore. Përfshirja e më shumë grave në pozita udhëheqëse dhe atyre që janë pjesë të sistemit shëndetësor në komisione dhe procese vendimmarrëse ndihmon që të adresohen proporcionalisht nevojat e grave dhe vajzave nga secili komunitet, njëherit një praktikë e tillë është në harmoni me Rezolutën 1325 të Këshillit të Sigurisë së OKB-së për përfshirjen e grave në proceset vendimmarrëse, parandalimin e konfliktit dhe ndërtimit të paqes.

Për Ministrinë e Ekonomisë, Punësimit, Tregtisë, Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Investimeve Strategjike dhe Ministrinë e Shëndetësisë:

  • Të ndërmirren masa speciale dhe përpjekje të vazhdueshme në kuadër të masave afatmesme për të identifikuar shkeljet e të drejtave nga sektori i ekonomisë jo formale, duke i adresuar nevojat e grave të cilat përbëjnë një pjesë dërrmuese të këtij sektori, në mënyrë që të përfshihet edhe kjo kategori në grupin e përfituesve nga skemat mbështetese financiare për sektorin privat.
  • Të adresohet barra e punës së papaguar të grave nga Inspektorati i Punës, dhe të specifikohen masat të cilat do të ndërmirren në raport me shpërndarjen e asistencave sociale, shërbimeve psiko-sociale, dhe shërbimeve mjekësore-higjienike.
  • Të monitorohet shkelja e të drejtave të punës në sektorin privat, sidomos në sektorët esencialë të mbipërfaqsuar nga gratë, si pasojë e orarit të tejzgjatur të punës pa pagesë shtesë.
  • Të njihet puna e papaguar e kujdesit e specifikuar në nenin 18 të Ligjit për Barazi Gjinore si pjesë e sistemit të ekonomisë, sidomos gjatë formulimit dhe zbatimit të politikave dhe masave makroekonomike si përgjigje ndaj pandemisë. Kjo mund të bëhet duke e modifikuar lejen për mungesë nga puna, dhe duke inkurajuar që kjo e fundit të ndahet mes dy prindërve, apo duke e bërë të mundur që gratë të përfitojnë nga provizionet publike për kujdesin ndaj fëmijëve dhe të moshuarve. Një praktikë e tillë duhet të aplikohet sidomos në sektorët esencialë, ku puna është duke vazhduar dhe fëmijët apo të moshuarit rrezikojnë të mbesin pa përkujdesje adekuate.
  • Të sigurohen te dhënat e ndara sipas gjinisë, te cilat janë tejet të nevojshme për të kuptuar se si gratë dhe burrat janë të afektuar ndryshe nga ky virus, jo vetëm në kontekstin e infektimit, por edhe në aspektin ekonomik, ndarjen e përgjegjësive të kujdesit dhe për të treguar shkallën e rritjes së dhunës në familje. Një praktikë e tillë duhet të përfshihet edhe nga linjat e ministrive përkatëse qendrore si dhe në nivel lokal në kuadër të zbatimit të planit të reagimit kombëtar. Konsultimi paraprak me organizata të cilat kanë ekspertizë në lidhje me çështjet e barazisë gjinore është i domosdosshëm, dhe si i tillë, rekomandohet edhe në kuadër të planit të reagimit kombëtar.
  • Të integrohen nevojat e infermiereve dhe mjekeve në secilin plan strategjik kundrejt COVID-19. Të sigurohet që grave infermiere dhe mjeke, si dhe grave në profesione tjera në sistemin shëndetësor t’u plotësohen nevojat esenciale higjienike dhe sanitare, përfshirë këtu sigurimin e produkteve menstruale dhe pecetave higjienike. Kjo nënkupton që ato të jenë të pajisura mjaftueshëm për të mbajtur higjienën personale dhe të jenë të mbrojtura përderisa shërbejnë në rradhët e para të shërbimeve shëndetësore.

Rekomandime në raport me dhunën në baza gjinore:

  • T’u jepet përparësi shërbimeve për parandalimin dhe reagimin ndaj dhunës në baza gjinore dhe dhunës në familje në kohë të pandemisë COVID-19, përfshirë këtu financimin e qëndrueshëm të OJQ-ve, strehimoreve dhe qendrave ditore që janë në shërbim të viktimave të dhunës me baza gjinore. Të sigurohet që këto qendra kanë mjaftueshëm mjete të nevojshme mjekësore, higjienike dhe sanitare.
  • Të hartohet një protokoll i procedurave që duhet ndjekur për trajtimin e grave të cilat nuk mund të pranohen në qendra të tilla, si pasojë e infektimit, duke përfshirë karantinim të sigurtë dhe qasje në testim. Të sigurohet trajtim psiko-social i viktimave të dhunës me baza gjinore, qoftë edhe në mënyrë virtuale.
  • Të specifikohen masat qe do të ndërmirren në raport me dhunën në baza gjinore, duke përfshirë inkurajimin e vazhdimit të punës së Mbrojtësve të Viktimave dhe të sigurohet gatishmëria e policisë në trajtimin emergjent të rasteve të dhunës. Të informohet publiku për vazhdimësinë e punës së këtyre institucioneve.
  • Të sigurohet që punëtorët shëndetësorë të kenë përgjigje të ndjeshme gjinore ndaj rasteve të dhunës në baza gjinore, të cilat mund të shoqërohen ose përkeqësohen nga pandemia. Ata të cilët ofrojnë përgjigjen e parë duhet të dinë se kujt i duhet kujdes i shtuar, ose kë duhet dërguar në qendra trajtimi.

Për Ministrinë e Financave:

  • Të bëhet rishikimi i buxhetit afat-mesëm duke praktikuar buxhetimin e përgjegjshëm gjinor, dhe vlerësimin e ndikimit gjinor, të paraparë me LBGj. Si dhe duke pasur parasysh nevojat e ndryshme të grave dhe burrave gjatë kësaj epidemie.

Për donatorët e huaj në Kosovë

  • Të gjitha fondet e pranuara nga Bashkimi Evropian (BE) duhet të shpërndahen duke pasur parasysh parimet e Buxhetimit të Përgjegjshëm Gjinor (BPGJ) dhe në kuadër të nevojave të identifikuara nga analiza gjinore.
  • Të përfshihen nën ombrellën e fondeve të BE të cilat do t’i distribuohen Kosovës për të adresuar nevojat e menjëhershme dhe ato afatgjata të vendit gjatë kësaj epidemie, mes tjerash, trajtimi psiko-social i viktimave të dhunës me baza gjinore, financimi i qëndrueshëm afatgjatë i strehimoreve, pajisja me mjete të nevojshme higjienike dhe sanitare, si dhe aspekte tjera përcjellëse të mbrojtjes sociale dhe ekonomike te grave si pjesë e grupeve të margjinalizuara, siç theksohet në deklaratën e BE-së për planifikimin e shpërndarjes së këtyre fondeve.

Lexoni KËTU analizën e plotë të RrGK-së.