Sot, më 26 shkurt përfaqësuesit e Rrjetit të Grave të Kosovës (RrGK), Igballe Rogova, Drejtore Ekzekutive, Besnik Leka, Anëtar i Bordit të RrGK-së si dhe Adelina Tërshani, Koordinatore e Projektit janë mirëpritur në takim nga kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar nga Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.
Rogova fillimisht ka shprehur zhgënjim për mos zbatimin e Ligjit për Barazi Gjinore (LBGj) në pozitat vendimmarrëse në qeveri, megjithatë ka shtuar se është e gëzuar nga fakti se kjo qeveri ka më shumë gra në pozita vendimmarrëse në krahasim me qeveritë e kaluara.
Po ashtu, RrGK ka vënë theksin te rëndësia për vazhdimin e bashkëpunimit të suksesshëm ndërmjet RrGK-së dhe Agjencisë për Barazi Gjinore (ABGj), duke kujtuar se ABGj është një mekanizëm tejet i rëndësishëm për monitorimin e zbatimit të LBGj-së në institucione.
Kurse, Kurti ritheksoi se barazia shoqërore nuk është e mundur pa barazi gjinore.
RrGK para Kurtit ka paraqitur pikat avokuese si në vijim:
- Të kthehen në diskutim Projektligji i Punës dhe Projektligji për pushimin e lehonisë dhe atë prindëror; dhe
- Të mbetet në kuadër të buxhetit të përhershëm linja kushtuar strehimoreve dhe qendrave ditore.
Forumi Ekonomik i Grave ka qenë një temë tjetër për të cilën u diskutua në takim, RrGK ka njoftuar Kurtin se ky koalicion që përbëhet nga Riinvest, RrGK, K-W4W, Qendra Kosovare për Studime Gjinore (QKSGJ), Demokraci për Zhvillim (D4D) dhe Rrjeti i Organizatave të Grave Rome, Ashkali dhe Egjiptase të Kosovës (RrOGRAEK), po vazhdon avokimin në të gjitha sferat që ka nevojë. Ky forum është një trup i pavarur, gjithëpërfshirës e unifikues, që ka mbledhur rreth vetes akterë, organizata e individë, që janë pjesë aktive e angazhimit dhe zhvillimit për fuqizimin e grave në ekonomi.
RrGK po ashtu ka kërkuar koordinim ndërmjet ministrive përkatëse si dhe mbështetjen e qeverisë për adresimin dhe realizimin e këtyre kërkesave në buxhetin e vitit 2020.
RrGK mbetet e përkushtuar në vizionin e saj për një shoqëri ku gratë dhe burrat janë të barabartë dhe kanë mundësi të barabarta në të gjitha sferat.
Lexoni KËTU letrën e plotë që RrGK i ka drejtuar Kurtit (e qasshme vetëm në gjuhën shqipe).