RrGK trajnon gazetarë të Ballkanit Perëndimor për raportimin e dhunës ndaj grave dhe dhunës digjitale 

Më 10 dhe 11 shtator, BIRN dhe Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK), në kuadër të partneritetit në projektin Violence Intervention through Safe and Informed Media Action, organizuan trajnimin rajonal “Raportimi i ndjeshëm gjinor dhe dhuna digjitale ndaj grave”, të mbajtur në Durrës, Shqipëri. Në trajnim morën pjesë gazetarë dhe profesionistë të medias nga vendet e Ballkanit Perëndimor, me fokus në forcimin e raportimit të përgjegjshëm, etik dhe të ndjeshëm gjinor për dhunën ndaj grave, përfshirë format e saj në hapësirat digjitale. 

Në kuadër të këtij trajnimi, RrGK u përfaqësua nga Adelina Berisha, Drejtore e Programit për Adresimin e Dhunës me Bazë Gjinore, dhe Melisa Kadolli, Koordinatore Ligjore dhe Monitoruese e Gjykatave për rastet e dhunës me bazë gjinore. RrGK ishte përgjegjëse për zhvillimin dhe ofrimin e dy sesioneve kryesore për pjesëmarrësit: “Raportimi mediatik i dhunës me bazë gjinore, me fokus të veçantë në dhunën ndaj grave të mundësuar përmes teknologjisë” dhe “Kuptimi i trendeve, rreziqeve dhe mënyrave të reagimit ndaj dhunës ndaj grave në epokën digjitale”. 

Gjatë sesioneve të zhvilluara nga RrGK, u diskutua mbi kuptimin e dhunës me bazë gjinore dhe dhunës ndaj grave të mundësuar përmes teknologjisë, format më të zakonshme të kësaj dhune dhe mënyrën se si këto forma mund të identifikohen dhe pasqyrohen në raportimet mediatike. 

Një pjesë e rëndësishme e sesioneve iu kushtua përdorimit të gjuhës së ndjeshme gjinore gjatë raportimit për dhunën ndaj grave, si dhe mënyrës së shmangies së fajësimit të viktimave, stereotipeve dhe gjuhës që mund të normalizojë ose minimizojë dhunën. 

Po ashtu, u diskutua se cilat gra janë veçanërisht të rrezikuara nga dhuna e mundësuar përmes teknologjisë, si dhe roli i inteligjencës artificiale në krijimin dhe përhapjen e formave të reja të dhunës ndaj grave. 

Në kuadër të sesioneve u trajtuan edhe sfidat e reagimit ligjor dhe institucional ndaj dhunës digjitale, masat për parandalim dhe siguri digjitale, si dhe roli i mediave në raportimin etik, të saktë dhe të përgjegjshëm të rasteve të dhunës ndaj grave. 

Përmes kontributit të saj në këtë trajnim rajonal, RrGK ndau ekspertizën dhe përvojën e saj me gazetarë dhe profesionistë të medias nga Ballkani Perëndimor, duke kontribuar në forcimin e kapaciteteve të tyre për të identifikuar dhe raportuar në mënyrë të përgjegjshme mbi dhunën ndaj grave, përfshirë format e saj të mundësuara përmes teknologjisë.