RrGK u drejtohet institucioneve me rekomandime për Buxhetin e vitit 2027: Kërkon investime që avancojnë barazinë gjinore 

Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) ka dërguar letra me rekomandime buxhetore për vitin 2027 në pesë ministri dhe Këshillin Prokurorial të Kosovës, duke kërkuar që planifikimi dhe ndarja e fondeve publike të bëhen në përputhje me parimet e Buxhetimit të Përgjegjshëm Gjinor (BPGj) dhe të adresojnë nevojat e ndryshme të grave dhe burrave, vajzave dhe djemve. 

Rekomandimet, të bazuara në hulumtimet dhe dëshmitë e RrGK-së, synojnë të kontribuojnë në fuqizimin ekonomik të grave, përmirësimin e shërbimeve për të mbijetuarat e dhunës me bazë gjinore, avancimin e të drejtave të punës dhe kujdesit social, si dhe rritjen e transparencës dhe llogaridhënies në menaxhimin e financave publike. 

Në letrën drejtuar Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, RrGK ka kërkuar rritjen e qasjes së grave në grante dhe subvencione bujqësore përmes masave afirmative, si dhe mbështetje më të madhe financiare për sektorët ku gratë janë të angazhuara, përfshirë hortikulturën, blegtorinë, përpunimin e ushqimit dhe agroturizmin. RrGK ka rekomanduar gjithashtu financimin e organizatave të grave për ofrimin e trajnimeve, këshillimit dhe mentorimit për gratë rurale, si dhe përfshirjen e fermereve në konsultimet publike për hartimin e skemave mbështetëse. 

Për Këshillin Prokurorial të Kosovës, rekomandimet përqendrohen në fuqizimin e kapaciteteve institucionale për trajtimin e dhunës me bazë gjinore. RrGK ka kërkuar sigurimin e prokurorëve dhe mbrojtësve të viktimave të specializuar, financimin e trajnimeve të vazhdueshme, përmirësimin e infrastrukturës dhe kushteve për trajtimin e viktimave, si dhe mbështetje psikologjike për stafin që merret me këto raste. Një tjetër rekomandim është fuqizimi i linjës telefonike falas të Zyrës për Mbrojtje dhe Ndihmë Viktimave. 

Në rekomandimet drejtuar Ministrisë së Drejtësisë, RrGK ka kërkuar ndarjen e së paku 150,727 eurove për funksionalizimin e plotë të Linjës Emergjente SOS, si dhe krijimin e një Qendre të Referimit dhe një Qendre të Krizave për Viktimat e Dhunës Seksuale, për të cilën janë rekomanduar 218,966 euro për subvencione. Gjithashtu, është kërkuar financim i mjaftueshëm për zbatimin e Strategjisë Kombëtare për Mbrojtjen nga Dhuna në Familje, Dhuna ndaj Grave dhe Dhuna me Bazë Gjinore 2027–2031, programet për trajtimin e dhunuesve dhe mbështetjen e organizatave të grave që ofrojnë shërbime të specializuara. RrGK ka theksuar edhe rëndësinë e financimit të nismave për drejtësi tranzicionale të përgjegjshme gjinore. 

Ndërkaq, Ministrisë së Punëve të Brendshme i është rekomanduar të investojë në trajnimin dhe certifikimin e zyrtarëve policorë për trajtimin e dhunës me bazë gjinore, si dhe në ristrukturimin dhe fuqizimin e njësive hetimore. Rekomandimet përfshijnë blerjen e 110 kompjuterëve për hetuesit e dhunës në familje, krijimin e hapësirave të sigurta dhe private për intervistimin e të mbijetuarave, funksionalizimin e sistemit të byzylykëve elektronikë për monitorimin e urdhrave mbrojtës dhe forcimin e kapaciteteve për hetimin e dhunës së lehtësuar nga teknologjia. RrGK ka kërkuar gjithashtu masa afirmative për rritjen e përfaqësimit të grave nga komunitete të ndryshme në Policinë e Kosovës. 

Në letrën drejtuar Ministrisë për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare, RrGK ka rekomanduar sigurimin e financimit të qëndrueshëm për pensionet dhe shërbimet e rehabilitimit e riintegrimit të të mbijetuarave dhe të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës. Po ashtu, është kërkuar krijimi i një linje të veçantë buxhetore prej 2,339,631 eurosh për strehimoret që ofrojnë shërbime për të mbijetuarit e dhunës me bazë gjinore. Rekomandimet përfshijnë krijimin e fondeve emergjente për Qendrat për Punë Sociale, përmirësimin e pagave dhe kushteve të punës për ofruesit e shërbimeve të kujdesit, zgjerimin e shërbimeve për personat me aftësi të kufizuara dhe të moshuarit, si dhe fuqizimin e Inspektoratit të Punës për adresimin e diskriminimit gjinor dhe shkeljeve të të drejtave të grave në vendin e punës. 

Për Ministrinë e Financave, RrGK ka rekomanduar ndarjen e rreth 707,078 eurove në vit për punësimin e punëtorëve socialë shtesë në Qendrat për Punë Sociale, me përgjegjësi të veçanta për trajtimin e rasteve të dhunës me bazë gjinore. Gjithashtu, është kërkuar sigurimi i rreth 31.5 milionë eurove për asistencën personale, duke garantuar që punonjësit e këtyre shërbimeve të paguhen të paktën në nivelin e pagës minimale prej 500 eurosh në muaj. 

Përtej rekomandimeve për ndarje specifike buxhetore, RrGK ka kërkuar nga Ministria e Financave që të përmirësojë zbatimin e BPGj-së gjatë gjithë procesit buxhetor. Kjo përfshin shqyrtimin e cilësisë së propozimeve buxhetore nga perspektiva gjinore, kthimin për plotësim të shtojcave të pamjaftueshme të BPGj-së dhe publikimin e tyre. RrGK ka rekomanduar gjithashtu që Ministria e Financave, në bashkëpunim me Agjencinë për Barazi Gjinore, të përgatisë dhe publikojë një Deklaratë të Buxhetit Gjinor për vitin 2027, e cila do të paraqiste se si ndarjet buxhetore kontribuojnë në avancimin e barazisë gjinore. 

Buxhetimi i Përgjegjshëm Gjinor është obligim ligjor, jo vetëm rekomandim. Ligji Nr. 05/L-020 për Barazi Gjinore kërkon integrimin e perspektivës gjinore në të gjitha fazat e procesit buxhetor. Për më tepër, zbatimi i BPGj-së është i ndërlidhur me përkushtimet e Kosovës ndaj Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm, veçanërisht treguesit 5.c.1, dhe standardeve ndërkombëtare për menaxhimin financiar publik të përgjegjshëm gjinor. 

RrGK u bën thirrje institucioneve përgjegjëse që t’i shqyrtojnë dhe përfshijnë këto rekomandime gjatë finalizimit të Buxhetit për vitin 2027, duke siguruar që fondet publike të adresojnë nevojat e qytetarëve dhe të kontribuojnë në zvogëlimin e pabarazive gjinore. 

Një buxhet i përgjegjshëm gjinor nuk kërkon domosdoshmërisht më shumë burime financiare, por një planifikim dhe shpërndarje më të drejtë, transparente dhe efektive të fondeve publike. Përmes këtyre rekomandimeve, RrGK synon të kontribuojë në një buxhet që i kthen zotimet për barazi gjinore në masa konkrete dhe shërbime që përmirësojnë jetën e grave dhe vajzave në Kosovë.