Pas mesnatës së 7 tetorit, Kuvendi i Republikës së Kosovës zgjodhi Prof. Dr. Justina Shiroka-Pulën Presidente të Republikës së Kosovës. Me këtë zgjedhje, Kosova jo vetëm që ka një Presidente të re, por i hapet rrugë tejkalimit të një periudhe të gjatë të bllokadës institucionale dhe vazhdimit të funksionimit normal të institucioneve të vendit.
Zgjedhja e Justina Shiroka-Pulës në këtë pozitë përbën një momentum të rëndësishëm për përfaqësimin dhe lidershipin e grave në institucionet më të larta të Republikës së Kosovës. Ajo është gruaja që do të udhëheqë institucionin më të lartë të shtetit, duke i dhënë një dimension të rëndësishëm përfaqësimit të grave në nivelet më të larta të vendimmarrjes.
“Ky mandat nuk i përket vetëm një personi. Ai i përket qytetarëve tanë, institucioneve tona dhe shtetit për të cilin shumë breza sakrifikuan. Do të jem Presidente e të gjithë qytetarëve, pa dallim politik, etnik apo shoqëror. Do të punoj për unitet, drejtësi, zhvillim dhe për forcimin e institucioneve tona”, tha mes tjerash në fjalimin e saj kur u zgjodh presidente.
Me një karrierë të gjatë akademike, shkencore dhe institucionale, Prof. Dr. Justina Shiroka-Pula ka dhënë kontribut të rëndësishëm në arsimin e lartë, zhvillimin ekonomik dhe jetën publike të Kosovës. Ajo ka shërbyer si Ministre e Energjisë dhe Minierave, deputete e Kuvendit të Kosovës dhe, së fundmi, si kryetare e Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, duke u bërë gruaja e parë që udhëheq këtë institucion.
Përtej angazhimit akademik dhe institucional, kontributi i saj ndër vite në fuqizimin e grave, barazinë gjinore, zhvillimin e bizneseve dhe ndërmarrësinë është pjesë e një trashëgimie që ka kontribuuar në krijimin e më shumë hapësirave për gratë në jetën publike dhe profesionale.
Vetëm pak ditë më parë, në konferencën “Partneriteti për Ndryshim – Gratë që Transformojnë Sistemet”, Prof. Dr. Shiroka-Pula u nderua me Çmimin për Arritje Jetësore në fushën e Grave, Paqes dhe Sigurisë, në vlerësim të kontributit të saj shumëvjeçar në fuqizimin e grave dhe avancimin e lidershipit të tyre.
Është veçanërisht domethënëse për Rrjetin që sot ta urojë në këtë përgjegjësi të re një grua që ka qenë edhe në hapësirat e RrGK-së dhe me të cilën ka ndarë diskutime e bashkëpunime rreth rolit të grave në dije, arsim dhe jetën publike.
Në një nga këto takime, atëherë në cilësinë e Kryetares së Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, znj. Shiroka-Pula vizitoi zyrat e RrGK-së, ku përgëzoi publikimin e librit “Motrat Qiriazi: Shoqatë Arsimimi dhe Rezistencë Civile në Kosovë”, duke vlerësuar rëndësinë e dokumentimit të historisë së aktivizmit të grave dhe kontributit të tyre në arsim e në zhvillimin e shoqërisë.
RrGK e vlerëson shumë këtë moment dhe beson se përfaqësimi i grave në pozitat më të larta të institucioneve shtetërore do të kontribuojë të një shoqëri më të barabartë dhe demokratike.
RrGK uron Presidenten Shiroka-Pula në këtë përgjegjësi të rëndësishme dhe pret që mandati i saj të shoqërohet me përkushtim ndaj barazisë, të drejtave të grave dhe një Kosove ku gratë dhe vajzat kanë mundësi të barabarta për të udhëhequr dhe për të ndikuar në të ardhmen e vendit.
