Gjatë muajit shtator, Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) ka vazhduar të punojë në hulumtimin “Analiza Gjinore: Reduktimi i Ndryshimeve Klimatike përmes Transportit të Përmirësuar”. Si pjesë e këtij hulumtimi, u kryen vëzhgime të autobusëve urbanë në Prishtinë për të analizuar numrin e pasagjerëve, gjininë e tyre, kushtet për personat me aftësi të kufizuara dhe për prindërit me fëmijë. Gjithashtu, u vëzhguan sjelljet e pasagjerëve dhe stafit të Trafikut Urban. Përveç kësaj, janë bërë vezhgime të disa rrugëve në Prishtinë, duke ecur nëpër disa lagje të ndryshme për të vlerësuar gjendjen e infrastrukturës rrugore. Kjo përfshinte vëzhgimin e trotuareve, funksionimin e semaforëve dhe çasjen për persona me aftësi të kufizuara dhe prindër me fëmijë.
RrGK ka vazhduar me intervistim të Drejtorëve/Zyrtarëve nga Departamenti për Barazi Gjinore, Departamenti i Buxhetit dhe Financave, Departamenti i Planifikimit Urban dhe Hapësinor, si dhe Njësia e Transportit (Departamenti për Shërbime Publike) në Komunën e Prishtinës dhe Dragashit, ku janë marrë informacione mbi Planin e Barazisë Gjinore, Planin e Mobilitetit, Buxhetin Vjetor të Komunës dhe Kornizën Afatmesme Buxhetore. Po ashtu, kemi analizuar disa strategji dhe plane prej perspektivës gjinore, për të identifuar se si mund të përmirësohen në të ardhmen.
Për të mbledhur të dhëna të mëtejshme, u mbajtën katër fokus-grupe me burra dhe gra në Dragash, përfshirë mësues, punonjës të komunës, mjekë dhe studentë, për të diskutuar sfidat dhe përmirësimet e mundshme në lidhje me transportin publik dhe infrastrukturën rrugore.
Ky hulumtim synon të ndihmojë në përmirësimin e politikave, përfshirë buxhetete transportit dhe adresimin e çështjeve të ndryshimeve klimatike përmes një perspektive gjinore.
Hulumtimi do të publikohet në fund të vitit 2024.
Ky hulumtim, po kryhet si pjesë e një përpjekjeje rajonale të ndërmarrë nga Rrjeti i Mbikëqyrjes së Buxhetit Gjinor, anëtar i të cilit është RrGK, me mbështetjen e Agjencisë Austriake për Zhvillim (ADA) dhe Agjencisë Suedeze për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ndërkombëtar (SIDA).
Hulumtimi po kryhet si pjesë e një përpjekjeje rajonale të ndërmarrë nga Rrjeti i Mbikëqyrjes së Buxhetit Gjinor, anëtar i të cilit është RrGK, me mbështetjen e Agjencisë Austriake për Zhvillim dhe Agjencisë Suedeze për Zhvillim Ndërkombëtar.