Gjatë muajit tetor, Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) ka zhvilluar një sërë aktivitetesh të rëndësishme që synojnë forcimin e institucioneve, rritjen e vetëdijes dhe përmirësimin e reagimit ndaj dhunës me bazë gjinore në Kosovë.
Në bashkëpunim me Ministrinë e Drejtësisë, Departamentin për Politika Sociale dhe Familjare dhe Këshillin Profesional për Politika Sociale dhe Familjare, RrGK organizoi dy raunde për trajnime dy ditore mbi kurrikulën “Puna me Viktimat e Dhunës në Familje: Trajtimi dhe Referimi” në regjionin e Prizrenit. Trajnimet mblodhën profesionistë të shërbimeve sociale për të ndarë përvoja, thelluar njohuritë ligjore dhe forcuar qasjen e përqendruar tek viktima.

Më 14 tetor, QIKA lansoi gazetën “Jo i bjen Jo edhe online”, që sjell gjetjet e hulumtimit mbi ngacmimet seksuale dhe dhunën online ndaj grave dhe vajzave në Kosovë. Pjesë e panelit ishte Adelina Berisha, Drejtore e Programit per Adresim të DhBGj, e cila ndau përvojat dhe avokimin që RrGK po bën për ta adresuar dhunën online.
Përveç kësaj, RrGK vazhdoi monitorimin e rasteve të dhunës në baza gjinore në gjykata gjithashtu dhe asistimin dhe këshillimin e rasteve të dhunës në baza gjinore.
Përveç këtyre përpjekjeve, RrGK gjithashtu mori pjesë në konferencën e Presidentes së Kosovës “Gratë, Paqja dhe Siguria: Përballja me kërcënimet e reja përmes bashkëpunimit rajonal”.
Në kuadër të fushatës “Derë më derë”, në bashkëpunim me RrOGRAEK, ZEC dhe OPDMK, RrGK kontribuoi në zhvillimin e takimeve informuese me qytetarë të komuniteteve Rome, Ashkali dhe Egjiptiane, me qytetarë të komunitetit serb dhe qytetarë me aftësi të kufizuara duke shpërndarë materiale edukative dhe duke rritur vetëdijen për format e dhunës me bazë gjinore.
Përmes partneritetit me Artpolis, RrGK mbështeti edhe premierën e shfaqjes së forum teatrit “Prapa Ekranit”, e cila u mbajt në shkollën “Xhevdet Doda” në Prishtinë dhe në Kino “Jusuf Gërvalla” në Pejë.
Përmes këtyre iniciativave, RrGK vazhdon të luajë një rol kyç në fuqizimin institucional, mbrojtjen e viktimave dhe ndërtimin e një shoqërie të barabartë dhe të sigurt për të gjithë.
Të gjitha këto aktivitete u mbështetën nga Agjencia Austriake për Zhvillim (ADA) me mbështetjen e Bashkëpunimit Austriak për Zhvillim dhe East-West Management Institute. (EWMI).
