Nga 16 deri më 22 shtator 2025, Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) shënoi Javën Evropiane të Mobilitetit me një fushatë dinamike në rrjete sociale, të zhvilluar në bashkëpunim me Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (MMPHI).
Java Evropiane e Mobilitetit, një nismë vjetore e Komisionit Evropian, inkurajon qytetarët anembanë Evropës të adoptojnë forma më të qëndrueshme të transportit, duke promovuar ajër më të pastër, rrugë më të sigurta dhe komunitete më të shëndetshme.
Gjatë fushatës, RrGK theksoi çështje kyçe që lidhen me mobilitetin dhe jetën urbane në Kosovë, përfshirë ndotjen nga makinat, cilësinë e dobët të ajrit, parkimin e paligjshëm dhe shkeljet e të drejtave në transportin publik.
Postimi i parë ngriti vetëdijen mbi parimin “ndotësi paguan”, sipas të cilit ata që shkaktojnë ndotje duhet të mbulojnë shpenzimet për pasojat, duke mbrojtur kështu shëndetin publik dhe mjedisin. Një tjetër postim trajtoi të drejtat e personave me aftësi të kufizuara dhe asistentëve të tyre personalë në transportin publik, si dhe mënyrat se si mund të raportohen shkeljet. RrGK ngriti gjithashtu vetëdijen për parkimin e paligjshëm në trotuare, një problem i zakonshëm urban që kufizon qasjen dhe sigurinë e këmbësorëve, duke inkurajuar qytetarët të zgjedhin opsione të qëndrueshme transporti në vend të udhëtimit me makinë.
Iniciativa kulmoi më 22 shtator me një postim të veçantë për Ditën Botërore Pa Makinë, duke theksuar përfitimet e ecjes, vrapimit dhe çiklizmit.
RrGK ndau për herë të parë edhe rekomandimet kryesore nga raporti i saj i ardhshëm mbi transportin. Ato përfshijnë:
- Përdorimin e të ardhurave nga tarifat e parkimit dhe gjobat për të financuar infrastrukturën që u shërben të gjithëve, përfshirë trotuare të qasshme dhe shtigje për biçikleta.
- Përdorimin e taksave mbi makinat për të financuar opsione më të qëndrueshme transporti, përfshirë autobusë më të shpejtë, më të besueshëm dhe më pak të mbushur, të cilët shërbejnë edhe zonat rurale.
- Sigurimin e udhëtimit falas për personat me aftësi të kufizuara dhe asistentët e tyre personalë, si dhe investimin në shërbime më të qasshme transporti, përfshirë autobusë me rampa, hapësirë për karrige me rrota dhe shoferë të trajnuar.