“Së bashku krijojmë, së bashku rritemi” – dy javë në shenjë të përfshirjes dhe barazisë 

Të premten është përmbyllur iniciativa “Së bashku krijojmë, së bashku rritemi”, e organizuar nga Organizata “Dëgjo Zërin Tim”, me qëllim krijimin e një hapësire gjithëpërfshirëse ku çdo fëmijë ndihet i pranuar, i barabartë dhe i vlerësuar. 

Përgjatë dy javëve, me aktivitete të zhvilluara tri herë në javë, 30 fëmijë me dhe pa vështirësi në zhvillim, së bashku me nënat e tyre, patën mundësi të marrin pjesë në aktivitete krijuese, edukative dhe sociale, duke mësuar, bashkëpunuar dhe krijuar së bashku. 

Iniciativa u realizua falë mjeteve të mbledhura nga panairet e organizuara nga “Dëgjo Zërin Tim” dhe përkrahjes së bizneseve të ndryshme dhe komunës. Një kontribut të veçantë dhanë edhe psikologet dhe mësueset, të cilat e realizuan punën e tyre në mënyrë vullnetare. 

Në përmbyllje të iniciativës, punimet e realizuara nga fëmijët gjatë këtyre dy javëve u ekspozuan para të pranishmëve, duke sjellë në pah kreativitetin, talentin dhe përkushtimin e tyre. 

Në aktivitet morën pjesë edhe përfaqësues të Policisë së Obiliqit dhe të Komunës së Obiliqit. 

Arjeta Miftari, nga Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport e Komunës së Obiliqit, vlerësoi rëndësinë e kësaj iniciative dhe premtoi se Komuna do të vazhdojë t’i përkrahë iniciativa të tilla, aq sa ka mundësi dhe kapacitete. 

“Qëllimi ynë është ndërgjegjësimi i shoqërisë që këta fëmijë të jenë të pranueshëm në shoqëri dhe të ndihen të barabartë me fëmijët e tjerë”, tha drejtorja e organizatës, Xhevahire Preniqi. 

Duke folur nga përvoja e saj personale si nënë e një fëmije me ngecje në zhvillim, Preniqi ndau edhe një mesazh të fuqishëm: “Duke marrë parasysh që edhe unë e kam një fëmijë me ngecje në zhvillim dhe shpesh po has në vështirësi, ndonjëherë po dëshiroj të tërhiqem. Por po frikësohem se një ditë fëmija im do të më gjykojë: ‘Pse mami u dorëzua?’ Prandaj po ngrihem dhe po vazhdoj”. 

 “Dëgjo Zërin Tim” vazhdon të punojë për një shoqëri ku çdo fëmijë, pavarësisht dallimeve apo vështirësive në zhvillim, të ndihet i pranuar dhe i barabartë. 

Nëse dëshironi të kontribuoni në këtë mision dhe të mbështesni punën e një organizate që ka në fokus përfshirjen, fuqizimin dhe krijimin e mundësive për fëmijët dhe familjet e tyre, mund të bëheni pjesë e kësaj nisme. Çdo mbështetje, qoftë përmes kontributit, partneritetit apo ofrimit të mundësive për fëmijët, ndihmon që aktivitete të tilla të vazhdojnë. 

Për më shumë detaje, mund ta kontaktoni drejt organizatën “Dëgjo Zërin Tim”.