“SHE for SHE” ndihmon gratë e prekura me kancer të gjirit

Gjatë tetorit, si muaj i ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit, SHE Wine në kuadër të projektit SHE for SHE organizoi një mbrëmje bamirësie për të ndihmuar gratë që vuajnë nga kjo sëmundje. SHE Wine, në bashkëpunim me Kreativ Qeramika, ka mbledhur fonde për Klinikën e Onkologjisë (SHSKUK).

Pjesëmarrësit në mbrëmje, zyrtarët institucionalë, përfaqësues të OJQ-ve, ambasadave të ndryshme, afaristë, dhe persona të tjerë me influencë në kulturë dhe shoqëri, kanë kontribuar drejt kësaj kauze ne dy mënyra: duke blerë një shishe vere “SHE Rose” apo thjesht duke dhuruar shumë parash sipas dëshirës së tyre. Në një bisedë me Rrjetin e Grave të Kosovës (RrGK), Malda Susuri drejtore kreative e SHE for Wine tregon për rezultatin e arritur.

“Si ne ashtu edhe partneri ynë Kreativ Qeramika jemi ndare tejet të kënaqur fillimisht me numrin e pjesëmarrësve (t’ju them të drejtën nuk e kishim pritur se do te kishte kaq shumë interesim dhe se kaq shume njerëz do te vinin), si dhe me donacionet e rezultuara nga kjo mbrëmje. Sado të pakta që ato mund te duken karshi sëmundjes në fjalë, besojmë dhe shpresojmë që do të mund t’ju vijnë në ndihmë të prekurave me kancer te gjirit në Kosovë dhe t’jua lehtësojnë sadopak dhimbjen në këtë fazë të vështirë të jetës së tyre. Fondet e mbledhura do te dorëzohen te klinika e Onkologjisë, pastaj ata do të vendosin se si do t’i ndajnë ato,” tha Susuri.

Nga një fjalë rasti kanë mbajtur ish presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga, drejtorja ekzekutive e RrGK-së, Igballe Rogova dhe onkologu Arben Bislimi.

Malda Susuri mendon se falë organizatave, projekteve, dhe kampanjave të ndryshme, është ngritur shumë informimi rreth kancerit te gjirit. Por, ka ende shumë punë për t’u bërë.

“Sa i përket ndërgjegjësimit apo vetëdijesimit të popullatës, mendoj se duhet punuar shumë për t’i shuar disa tabu qe ende fatkeqësisht janë të pranishme në shoqërinë tonë e të cilat kushtojnë me jetë. Për shembull, për fat të keq ende ka raste kur shume persona i konsiderojnë vizitat mjekësore si të turpshme apo ‘jo të ndershme’ për nje grua, dhe hezitojnë qe te vizitohen.”

Vizitat e hershme janë shumë të rëndësishme sepse mund te rezultojnë në zbulim të hershëm të kancerit të gjirit, i cili ka më shumë mundësi të shërimit sesa zbulimi i tij në një fazë më të vonshme.