SHE Solutions dhe puna e saj për fuqizimin e grave 

Përmes fuqizimit të grave dhe vajzave, avokimit dhe krijimit të hapësirave për pjesëmarrje, SHE Solutions punon për një shoqëri më të barabartë, ku gratë kanë mundësi më të mëdha të marrin pjesë dhe të ndikojnë në vendimmarrje, si dhe në çështjet që prekin jetën e tyre dhe komunitetet ku jetojnë. 

E themeluar në vitin 2021 nga Antigone Baxhaku-Idrizi, SHE Solutions angazhohet për avancimin e barazisë gjinore dhe fuqizimin e grave dhe vajzave, me fokus të veçantë në pjesëmarrjen e grave në vendimmarrje, paqe dhe siguri, si dhe në rritjen e pjesëmarrjes së tyre në jetën publike. 

Një nga fushat e rëndësishme të punës së SHE Solutions është rritja e pjesëmarrjes dhe përfaqësimit të grave në sektorin e sigurisë. Përmes hulumtimeve, avokimit, diskutimeve publike dhe iniciativave të ndryshme, organizata synon të identifikojë dhe adresojë barrierat që kufizojnë përfshirjen dhe avancimin e grave në këtë sektor. 

Në kuadër të angazhimit për promovimin e zërit dhe perspektivave të grave, SHE Solutions ka zhvilluar edhe platforma të komunikimit dhe dialogut publik, përmes të cilave çështjet që lidhen me të drejtat dhe fuqizimin e grave trajtohen në mënyrë më të gjerë dhe u jepet hapësirë grave për të ndarë përvojat, njohuritë dhe pikëpamjet e tyre. 

Një prej këtyre iniciativave është podcasti “SPOTLIGHT ”, i cili përmes një serie prej 8 episodesh ka trajtuar rolin dhe kontributin e grave në paqen dhe sigurinë, duke sjellë në vëmendje përvojat, sfidat dhe kontributet e grave në këto fusha. Podcasti synon të fuqizojë zërin e grave dhe të nxisë një diskutim më të gjerë mbi rëndësinë e pjesëmarrjes së tyre në ndërtimin e paqes, sigurisë dhe shoqërive demokratike. 

Një tjetër seri prej 10 episodesh është fokusuar në të drejtat e grave si pjesë e pandashme e të drejtave të njeriut, duke trajtuar tema që lidhen me barazinë, dinjitetin, pjesëmarrjen dhe të drejtat e grave në shoqëri. Përmes këtyre episodeve, SHE Solutions synon të kontribuojë në rritjen e ndërgjegjësimit publik dhe në forcimin e debatit mbi barazinë gjinore dhe të drejtat e grave. 

Puna e SHE Solutions ka krijuar gjithashtu hapësira dhe mundësi për gratë dhe vajzat që të zhvillojnë njohuritë dhe aftësitë e tyre, të artikulojnë nevojat dhe kërkesat e tyre dhe të avokojnë për ndryshime në nivel lokal dhe qendror. Një vëmendje e veçantë i është kushtuar edhe fuqizimit të grave me aftësi të kufizuara, duke mbështetur pjesëmarrjen e tyre më aktive në jetën publike dhe në proceset vendimmarrëse. 

Me një përvojë prej më shumë se dy dekadash në media dhe komunikim publik, përfshirë punën si gazetare, prezantuese, redaktore dhe kryeredaktore në RTV21, si dhe angazhimin si këshilltare e ish-Presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga, dhe në Zyrën e ish-Kryeministrit Avdullah Hoti, Antigone Baxhaku-Idrizi e sjell këtë përvojë në funksion të fuqizimit të grave, komunikimit strategjik dhe avancimit të barazisë gjinore. 

Kombinimi i përvojës në media, komunikim, institucione publike dhe shoqëri civile i ka mundësuar Baxhaku-Idrizit të ndërtojë ura bashkëpunimi ndërmjet grave, organizatave të shoqërisë civile, mediave dhe institucioneve, duke kontribuar në krijimin e hapësirave ku zëri i grave mund të dëgjohet dhe të shndërrohet në ndikim publik dhe institucional. 

SHE Solutions është anëtare e Rrjetit të Grave të Kosovës (RrGK), ndërsa Antigone Baxhaku-Idrizi është anëtare e Bordit të RrGK-së. Përmes këtij rrjeti, SHE Solutions është pjesë e një komuniteti të organizatave dhe aktivisteve që punojnë së bashku për avancimin e të drejtave të grave dhe barazisë gjinore në Kosovë. 

Në kuadër të angazhimit të saj në RrGK, Baxhaku-Idrizi ka diskutuar me përfaqësueset e rrjetit mbi metodologji dhe qasje të ndryshme për ndryshimin e normave dhe vlerave që qëndrojnë në themel të pabarazive gjinore. Duke u mbështetur në përvojën e saj të gjerë në media, komunikim strategjik, marrëdhënie me publikun si dhe në përvojën si këshilltare politike dhe ndërlidhëse me institucionet publike, ajo ka theksuar rëndësinë e përfshirjes së burrave dhe djemve në përpjekjet për barazi gjinore. 

Përmes kësaj përvoje, Baxhaku-Idrizi ka punuar në ndërlidhjen dhe forcimin e bashkëpunimit ndërmjet organizatave të shoqërisë civile dhe institucioneve, duke synuar që çështjet e barazisë gjinore të adresohen edhe përmes politikave dhe proceseve institucionale. Një fokus i veçantë i kësaj qasjeje është puna me të rinjtë dhe institucionet arsimore, me qëllim ndryshimin e normave dhe adresimin e shkaqeve rrënjësore të pabarazive gjinore. 

Takime dhe bashkëpunime të tilla janë pjesë e përpjekjeve të RrGK-së për të qëndruar pranë organizatave anëtare, për të kuptuar më mirë punën dhe nevojat e tyre dhe për të identifikuar mundësi të reja për bashkëpunim dhe ndikim. 

Më shumë rreth punës dhe aktiviteteve të SHE Solutions mund të gjeni në shesolutions.net dhe në rrjetet sociale SHE Solutions në Facebook dhe she.solutions në Instagram. 

Organizatën mund ta kontaktoni drejtpërdrejt në adresën: ojq.she.solution@gmail.com