Shëndeti mbi të gjitha: Mbështetja e KWF nxit avokimin e qëndrueshëm për të drejtat e grave në Lipjan

Qasja në informacione të sakta rreth shëndetit riprodhues dhe kujdesit për nënat ende nuk është e garantuar për shumë gra dhe vajza në Kosovë. Në zonat rurale, tema si planifikimi familjar, amësia e sigurt dhe se ku të kërkohet ndihmë në rast abuzimi rrallë diskutohen në hapësirat publike dhe mungojnë nga programet mësimore në shkolla. Mungesa e informacionit të qartë e të kuptueshëm, e kombinuar me procedura institucionale që shpesh janë të vështira për t’u ndjekur, mund t’i lërë gratë pa vetëbesim apo mjete të nevojshme për të vepruar kur të drejtat e tyre shkelen.

Në komunën e Lipjanit, Shoqata Rinore për të Drejtat e Njeriut (YAHR) vendosi të adresojë këtë problematikë duke krijuar hapësira ku gratë mund të flasin hapur për shëndetin e tyre, të kuptojnë të drejtat që kanë dhe të mësojnë si të marrin mbështetje nga institucionet, duke u mbështetur në bindjen se vetë gratë mund të jenë forca më e fuqishme e ndryshimit në komunitetet e tyre.

Vendosja e Bazave përmes Dialogut dhe Angazhimit në Komunitet

Hapi i parë ishte të dëgjojnë nevojat e grave. Në korrik të vitit 2023, YAHR u takua me udhëheqës lokalë, përfshirë zyrtarin komunal për barazi gjinore Hasan Luma, anëtarë të kuvendit komunal dhe Hyre Bytyqin, e cila udhëheq një grup joformal grash në Lipjan. Së bashku, ata identifikuan sfidat më të ngutshme me të cilat përballeshin gratë dhe shqyrtuan mënyrat për të bashkëpunuar. Këto biseda vendosën bazat për bashkëpunim, i cili më vonë gjatë vitit u formalizua me dy memorandume mirëkuptimi.

Nga aty, YAHR mblodhi 20 persona nga zonat urbane dhe rurale të Lipjanit, kryesisht gra, por edhe disa burra, për një punëtori tre-ditore në Rugovë. E udhëhequr nga ekspertja mjekësore dr. Egzona Bytyqi, trajnimi mbuloi shëndetin riprodhues, amësinë e sigurt, qasjen në kujdes shëndetësor cilësor dhe hapat që duhen ndërmarrë kur të drejtat shkelen. Pjesëmarrësit mësuan si të dokumentojnë keqtrajtimin dhe të paraqesin ankesa zyrtare, si dhe diskutuan pengesat me të cilat përballen gratë për ta bërë këtë. Dr. Egzona Bytyqi udhëhoqi këto seanca duke ofruar udhëzime praktike për navigimin e sistemit shëndetësor dhe shpjegoi hapat për raportimin e shkeljeve, duke inkurajuar pjesëmarrësit të ndajnë përvojat dhe pyetjet e tyre.

Punëtoria u realizua jo vetëm për të informuar, por për t’i përgatitur pjesëmarrësit të ndajnë njohuritë e tyre. Të ndarë në katër grupe të vogla, ata zgjodhën fshatrat ku do të mbanin sesione pasuese: Smallushë, Janjevë, Babushë i Muhaxherëve dhe Qylagë. Në muajt në vijim, ata u kthyen në vendlindjet e tyre dhe nisën të mblidhnin gratë në komunitetet lokale. Në Smallushë, një duzinë grash diskutuan shëndetin amësor dhe rëndësinë e kontrolleve të rregullta, duke ndarë histori personale rreth shtatzënisë dhe procesit të pasindjes. Në Babushë të Muhaxherëve, një grup më i vogël foli për lidhjen mes zakoneve të përditshme dhe mirëqenies afatgjate, ndërsa në Qylagë mbi dyzet gra u mblodhën për të folur për pengesat që hasin në qasjen në shërbime shëndetësore dhe se si mund të ndihmojnë njëra-tjetrën për t’i kapërcyer ato.

Në Janjevë, gjashtëmbëdhjetë gra u ulën me Dr. Bytyqin, duke bërë pyetje rreth shëndetit riprodhues dhe duke mësuar ku të raportojnë rastet e abuzimit. Disa prej grave treguan se më herët kishin besuar se ndihmë nga komuna mund të merrje vetëm nëse njihje dikë brenda saj. Pas takimit, ato kuptuan se ka persona të caktuar, detyra e të cilëve është të dëgjojnë gratë, dhe tani dinë ku t’i gjejnë. “Edukimi për shëndetin riprodhues dhe shëndetin e nënave është një temë e cila rrallë herë diskutohet në vendin tonë. Si tema shumë të rëndësishme janë edhe shëndeti i grave gjatë shtatzënisë, lindjes së fëmijëve dhe periudhës pas lindjes”- tha Fatbardha Hajdari, koordinatore në YAHR. “Të gjitha këto nuk janë të përfshira në kurrikula shkollore, andaj lind nevoja e plotësimit të kësaj zbrazëtire.”

Zgjerimi i Bashkëpunimit: Ndërlidhja e Komuniteteve dhe Institucioneve

Ndërsa këto takime në fshatra po zhvilloheshin, YAHR punoi për të forcuar lidhjen mes komuniteteve dhe institucioneve. Në nëntor, ata mblodhën zyrtarë komunalë, oficerë policie, anëtarë të kuvendit dhe përfaqësues të shoqërisë civile në një tryezë të rrumbullakët për dhunën dhe abuzimin ndaj grave. Diskutimi nxori ide konkrete: krijimin e një fondi emergjent për të mbijetuarat, ndarjen e banesave komunale për strehim të përkohshëm dhe partneritet me biznese për të krijuar mundësi punësimi për gratë e prekura nga dhuna. Këto propozime pasqyruan shqetësimet që gratë kishin shprehur në takimet e tyre në fshatra, duke siguruar që planet institucionale të mbështeteshin në realitetin e jetës së përditshme.

Kjo nismë arriti të ndikoj edhe tek njerëz të tjerë, përtej atyre që morën pjesë fizikisht. Përmes një fushate të synuar në rrjete sociale, YAHR shpërndau postera edukativë mbi barazinë gjinore, kancerin e gjirit dhe rëndësinë e raportimit të dhunës me bazë gjinore, si dhe njoftime për takimet në fshatra. Edhe pse nisi me një numër shumë të vogël, shtrirja e fushatës pati një rrite të shpejtë. Qysh në fillim fushata arriti të ketë shtrirje tek mbi dyqind ndjekës, e kështu vazhdoi deri në fund tek më shumë se dhjetë mijë njerëz, duke bërë që shumë gra ta hasnin këtë informacion për herë të parë në telefonat e tyre.

Në përmbyllje të nismës së YAHR, mbi njëqind gra kishin marrë pjesë në sesione ndërgjegjësimi, dhe njëzet anëtarë të komunitetit ishin trajnuar për të udhëhequr diskutimet e ardhshme. Gratë që morën pjesë u larguan jo vetëm me dije të reja, por edhe me një ndjenjë më të qartë të fuqisë së tyre. Njëra nga fasilitatoret tregoi se e nisi procesin si një nxënëse, por u rrit në një udhëheqëse. Sot, gratë e tjera në fshatin e saj i drejtohen asaj për udhëzim dhe mbështetje.

Nga të Mësuarit te Marrëdhëniet e Qëndrueshme

Memorandumet e Mirëkuptimit krijuan një kornizë për bashkëpunim të qëndrueshëm dhe të vazhdueshëm midis grupeve lokale të grave dhe institucioneve komunale. Pas përfundimit të projektit, YAHR vazhdoi përpjekjet për avokim dhe lobim me kryetarin e komunës dhe zyrtarët komunalë. Me 29 mars 2024, gjatë mbledhjes së 28-të të Kuvendit Komunal të Lipjanit, u miratua Plani Lokal i Veprimit për Barazi Gjinore për periudhën 2024–2026, pas një procesi në të cilin YAHR luajti një rol aktiv përmes avokimit të synuar. Vetëm disa javë më vonë, me 8 maj, Kuvendi Komunal miratoi Planin e Veprimit për Mbrojtje nga Dhuna në Familje dhe Dhuna ndaj Grave për periudhën 2024–2026. YAHR mbështeti hartimin e atij plani në bashkëpunim të ngushtë me Qendrën për Punë Sociale. Në mbledhjen e 31-të të Kuvendit Komunal, të mbajtur me 28 qershor 2024, u ndanë fonde për Qendrën për Mbrojtjen e Grave dhe Fëmijëve, strehimoren locale, për të mbështetur viktimat e dhunës në familje dhe dhunës me bazë gjinore, në përputhje me rekomandimet e ngritura gjatë tryezës së nëntorit.

Nisma e YAHR tregon se si një projekt i vetëm mund të nxisë ndryshim afatgjatë, duke fuqizuar gratë me dije, vetëbesim dhe lidhje institucionale, si dhe duke hapur rrugën për avokim të vazhdueshëm dhe ndikim afatgjatë në komunitet.

Nisma e YAHR “Shëndeti mbi të gjitha!” u realizua me mbështetjen e Fondit të Grave të Kosovës (FGK), i Rrjetit të Grave të Kosovës (RrGK), financuar nga Agjencia Austriake për Zhvillim (ADA) dhe bashkëfinancuar nga Agjencia Suedeze për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ndërkombëtar (Sida), në shumën prej 5,000€, nga korriku 2023 deri në janar të vitit 2024. Nisma kontribuoi drejtpërdrejt në Programin e RrGK “E drejta për shëndet”, duke siguruar që gratë dhe vajzat të jenë më të vetëdijshme për të drejtën e tyre për kujdes shëndetësor dhe si ta kenë atë në dispozicion.