SHEPF dhe Gruaja Hyjnore bashkëpunojnë për mirëqenien e gruas

 Shoqata për Edukim dhe Përkujdesjen e Familjes (SHEPF) dhe Gruaja Hyjnore në misionin e tyre e kanë ndihmën për viktimat e trafikuara dhe për kujdesin ndaj shëndetit reproduktiv. Si objektiv kryesor të tyre ato e kanë ofrimin e ndihmës për gratë dhe vetëdijësimin e të rinjëve lidhur me sëmundjet të cilat janë të bartshme.
        SHEPF dhe Gruaja Hyjnore ishin përfituese të raundit të tetë të granteve të ofruar nga Fondi i Grave të Kosovës (FGK) në kuadër të Rrjetit të Grupeve të Grave të Kosovës (RrGGK), dhe së bashku kanë qenë zbatuese të iniciativës “Një femër e edukuar – shoqëri e shëndoshë”, e cila ka zgjatur për një periudhë kohore prej katër muajsh.
            Rezultatet e arritura gjatë zbatimit të këtij projekti kanë qenë mjaft të larta. Gjithsej 48 punëtori janë mbajtur në komunat e Gjakovës dhe Gjilanit, ku 441 gra dhe vajza përfituan njohuri lidhur me shëndetin reproduktiv dhe masat mbrojtëse. Ndër sukseset e arritura me realizimin e këtij projekti renditet edhe vetëdijësimi i vajzave dhe nënave të tyre për shëndetin e tyre në përgjithësi, dhe shëndetin riprodhues në veçanti.
Po ashtu, është realizuar një pyetësor rreth vizitave tek gjinekologu dhe kontraceptivëve, ku përgjigjjet ishin mjaft shqetësuese. Rekomandimet pas plotësimit të këtij pyetësori dhe analizës së përgjigjjeve të tij, kanë qenë që t’i jepet një shtytje e fortë idesë së hapjes së një zyre këshilluese vetëm për vajza ku ruhet privatësia e tyre, dhe në këtë mënyrë ato do t’i bënin kontrollat mjekësore dhe do të parandaloheshin sëmundjet e ndryshme.
         Gratë dhe vajzat përfituese nga kjo iniciativë u shprehën mjaft të kënaqura, pasi që më parë nuk ju është ofruar ndonjë trajnim i tillë, duke shtuar se “njohuritë të cilat i kanë fituar do t’ua përcjellin edhe vajzave dhe grave tjera të cilat nuk kanë qenë pjesë e projektit”.
Gjatë takimeve të mbajtura pjesëmarrëset ishin shprehur se “vajzat nuk kryejnë vizita gjinekologjike për shkak të paragjykimeve dhe për këtë arsye shpesh edhe bëjnë vizita në klinika private për të mos u zbuluar nga të tjerët”.
Kjo iniciativë është financuar nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë.