Shkolla Verore Feministe Bashkon Vajzat nga Kosova dhe Serbia

Shkolla Verore Feministe mblodhi rreth 20 vajza nga Kosova dhe Serbia në Ohër të Maqedonisë, nga 15 deri më 21 korrik.
Shkolla Verore gjashtë ditore, në një ligjeratë të mbajtur nga Nadja Bobicic, adresoi historinë e lëvizjes feministe si në botë, respektivisht në Evropën Jug-Lindore.

Ditën tjetër Ana Vilenica foli për Feminizmin dhe Nacionalizmin në një sesion emocional, gjatë të cilit pjesëmarrëset reflektuan lidhur me kryqëzimet në mes të kombit-shtetit, gjinsë dhe trupit të femrës, me theks të veçantë në dhunën seksuale të shkaktuar ndaj grave gjatë luftës.
     
Në ditën e tretë, nga Nicole Farnsworth pjesëmarrëset mësuan për metodat e hulumtimit feminist.
   
Një tjetër ligjeratë nga Sibel Halimi u fokusua në Feminizmin e Përditshëm dhe Gratë në Media. Punëtoritë e tyre përfshinin një shumëllojshmëri të metodave interaktive jo-formale të të nxënit, përfshirë edhe intervistimin për histori gojore.  
    “Më pëlqyen filmat e shkurtër për historitë e grave,” tha një pjesëmarrëse. “Por më së shumti [më pëlqyen] ushtrimet që i bëmë me njëra-tjetrën sepse është interesant të flitet për fëmijërinë, luftën dhe  gjëra të tjera me dikë që nuk e ke njohur më parë.”
     
Në fakt, feministet kishin kohë që e kishin kuptuar rëndësinë e ngritjes së vetëdijes dhe ndërtimit të të kuptuarit përtej kufijve si një bazë të rëndësishme për të krijuar një lëvizje feministe të shumëllojshme dhe të fortë. “Kjo është hera e parë që pata mundësinë të ulem dhe në fakt të kem një bisedë të gjatë me një vajzë shqiptare,” tha një tjetër pjesëmarrëse nga Serbia. 
     
Shumica e pjesëmarrëseve e konsideruan të rëndësishëm intervistimin për historinë gojore, si një mundësi për të mësuar më tepër për politikën dhe atë se çka ka ndodhur në vendet e njëra-tjetrës, përfshirë edhe historitë që media në vendin e tyre nuk iu ka treguar.     |
   
Pjesëmarrëset, poashtu në mes tjerash diskutuan edhe të drejtat njerëzore dhe të grave në veçanti, definicionin e aktivizmit në komunitet dhe aktivizmit akademik.
     
Përveç diskutimeve më formale, vajzat kishin kohë të lirë edhe për t’u shoqëruar me njëra-tjetrën dhe për të kaluar kohë në plazhet e bukura të Ohrit. Ato organizuan sesione të yoga-s pranë lumit dhe vallëzuan salsa.
     
Shkolla Verore Feministe iu ofroi pjesëmarrëseve mjetet, idetë dhe kontaktet e nevojshme për t’iu bashkangjitur organizatave feministe dhe për të mbrojtur të drejtat e grave në vendet e tyre.
     
Në ditën e fundit ato reflektuan mbi atë se çka kishin mësuar gjatë shkollës verore dhe bën plane konkrete për vazhdimin e kësaj iniciative.
     
Organizatorët përkrahën ato në nbdarjen e përgjegjësive për hapat e mëtutjeshëm.   
     “Jam e befasuar nga idetë e tyre dhe gatishmërinë për t’i shëndërruar ato në vepra konkrete,” tha Mimoza Paçuku nga RrGGK, që është një dër organizatorët. “Është mbresëlënëse se sa shumë energji pozitive kanë ato dhe që janë të gatshme të punojnë në baza vullnetare nëse paraqitet nevoja. Kjo tregon që iniciativa për një shkollë të tillë është shumë e nevojshme. Jam shumë e lumtur që e mundësuam edhe pse nuk ishte e lehtë. Pres me padurim që pjesëmarrëset të vazhdojnë të zhvillojnë idetë e tyre dhe ta shëndërrojnë këtë shkollë në traditë.”  
   
Shkolla Verore Feministe u organizua nga RrGGK, Alternative Girl’s Center nga Krushevac, Serbi dhe Association Dea Dia nga Kovacica, Serbi si një iniciativë feministe paqe-ndërtuese për vajzat. Kjo iniciativë u përkrah nga Kvinna till Kvinna.