Më 13–15 tetor 2025, organizata joqeveritare Shliroj Cicat organizoi në Prishtinë edicionin e pestë të festivalit vjetor për shënimin e Muajit të Ndërgjegjësimit për Kancerin e Gjirit, këtë vit me moton “Trupi s’është i Turpit”. Festivali edhe një herë bashkoi artin, aktivizmin dhe kujdesin për të fuqizuar gratë dhe për të thyer stigmat që lidhen me kancerin e gjirit.
Çdo ditë nga ora 10:00 deri në 19:00, në Sheshin “Skënderbeu” u organizua një aksion dhurimi të reçipetave. Një stendë me mbishkrimin “Shliroji cicat” tërhoqi vëmendjen e kalimtarëve, të cilët ndalnin për të mësuar më shumë dhe për të bërë pyetje. Përveç ndërgjegjësimit, fushata synonte edhe mbledhjen e fondeve: pjesët e reçipetave të dhuruara do të ripërdoren për krijimin e çantave që më vonë do të shiten për të mbështetur gratë e prekura nga kanceri i gjirit. Vullnetaret pranë stendës shpërndanë broshura me informacione mbi rëndësinë e vetëkontrollit të gjirit për zbulimin e hershëm të sëmundjes.
Në ditën e dytë të festivalit, Shliroj Cicat organizoi një panel të fuqishëm, ku çdo zë solli histori, energji dhe frymëzim për gratë dhe komunitetin. Këtë vit, paneli trajtoi për herë të parë temën e “betejës së dyfishtë” – përballjen me kancerin e gjirit ndërkohë që mungon mbështetja nga partneri/ja. Paneli përfshiu folësit/et Vera Ora, Fitore Bicaj, Bind Skeja, Edi Gusia dhe Kaltrina Ajeti.

Aktivitete të tjera të festivalit përfshinë edhe një takim të artisteve lokale nga Maqedonia e Veriut, Shqipëria dhe Kosova, të cilat realizuan vepra arti të ekspozuara ditën e fundit të festivalit në Hamamin e Madh. Shliroj Cicat planifikon t’i shesë këto vepra në një ankand më 4 shkurt 2026, në Ditën Botërore të Kancerit. Fondet e mbledhura do të shkojnë drejtpërdrejt për iniciativat që mbështesin gratë e prekura nga kanceri i gjirit.

Gjatë tre ditëve të festivalit, Shliroj Cicat shfrytëzoi gjithashtu hapësirën e saj krijuese për aktivitete interaktive me gra dhe të rinj, përfshirë sesione të yogas dhe punëtori qeramike.
“Reagimet e pjesëmarrësve ishin jashtëzakonisht pozitive,” thotë organizatorja e festivalit, Ermira Murati. “Shumë prej tyre e përshkruan festivalin si një hapësirë të rrallë ku arti, kujdesi dhe aktivizmi bashkohen në një mesazh të fuqishëm për shëndetin e grave.”
Pavarësisht sfidave të vazhdueshme financiare, Shliroj Cicat vazhdon të qëndrojë e fortë në misionin e saj: “Shliroj Cicat është më shumë se një festival – është një lëvizje që hap dialog për trupin e gruas, frikën dhe forcën. Përmes artit, synojmë ta çlirojmë temën e kancerit të gjirit nga stigma dhe heshtja, duke u dhënë grave hapësirë të ndihen të dukshme dhe të fuqizuara,” shton Murati.
