Shoqata e Grave të Mitrovicës fuqizon gratë e reja vendimmarëse

 Më 14 shtator në Mitrovicë, Shoqata e Grave të Mitrovicës për të Drejtat e Njeriut organizoi trajnim në kuadër të projektit “Gratë e reja vendimmarrëse”. Në këtë trajnim morën pjesë 10 gra kandidate në listat e zgjedhjeve lokale nga komuna e Mitrovicës, drejtoresha e MWAHR-së, si dhe përfaqësueset e Rrjetit të Grave të Kosovës (RrGK). 
      Duke marr parasysh numrin mjaftë të vogël të grave kandidate për asamble komunale e po ashtu edhe numrin mjaftë të vogël të grave në pozita vendim-marrëse, organizata filloi zbatimin e këtij projekti i cili ka për qëllim rritjen e numrit të grave kandidate në asamble komunale, pjesëmarrje sa më të madhe në debate publike si dhe përfshirjen sa më të gjerë të grave në vendim-marrje. 
     Qëllimi i trajnimit ishte ngritja e kapaciteteve për kandidatet e reja, për t`i përgatitur ato për prezantime publike. Në mesin e temave që u trajtuan në këtë takim dhe për të cilat gratë përfituan njohuri të reja ishin: komunikimi, debati, prezantimi publik, udhëheqja.
     Njëra prej grave e cila për herë të parë po kandidon për asambleiste theksoi se: "Rëndësia e këtij trajnimin është fuqizimi i grave pjesëmarrëse në proceset e vendim-marrjes dhe se pa marr parasysh faktin që të gjitha gratë prezentë në këtë trajnim ishim të partive të ndryshme politike, ky trajnim është i rëndësishëm për secilën nga ne dhe na fuqizon si shoqëri, si gra. Vendimi për të hyrë në politikë nuk ka qenë i lehtë dhe shpresoj që edhe gratë e tjera të na mbështesin." 
Ky projekt është mbështetur nga Fondi i Grave të Kosovës (FGK) i Rrjetit të Grave të Kosovës (RrGK) si dhe është financuar nga Agjensioni Austriak për Zhvillim (ADA).