Me 24 shkurt, Shoqata e Juristëve Norma në bashkëpunim me organizatën Qendra për Fuqizimin e Gruas (QFG), në kuadër të inicativës së tyre të përbashkët “Realizimi i së drejtës në mbajtje financiare; Ushqimi dhe Alimentacion”, organizuan një tryezë të rrumbullakët ku morrën pjesë përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile, përfshirë edhe nga RrGGK, si dhe gjyqëtar/e të gjykatave të Kosovës.
Qëllimi kryesor i kësaj iniciative është përmirësimi i pozitës së fëmijëve dhe nënave vetëushqyese, duke realizuar të drejtën e alimentacionit, si dhe funksionalizimi dhe efikasiteti i instutucioneve publike në fushën e përmbarimit të vendimeve gjyqësore.
Shoqata Norma së bashku me QFG kanë realizuar hulumtimin se sa bëhet zbatimi i së drejtës në alimentacion dhe ushqimi. Ato këtë hulumtim e kanë bërë në disa komuna të Kosovës dhe raporti do të publikohet së shpejti. Ato theksuan se gjatë hulumtimit kanë bërë anketa edhe me biznese dhe shumica e tyre madje as që kishin ide se çfarë është alimentacioni.
Një e pranishme në këtë takim e tregoi rastin e saj kur i është drejtuar gjyakatës për të drejtën e alimentaciont, me ç’rast gjykatësi ishte treguar shumë joprofesional duke u shprehur: “Rastin e zgjidhi sipas stilit tim”, ndërsa Ligji për Gjykatën nuk lejon që një çështje të zgjidhet sipas ndonjë stili apo dëshire, por duke u zbatuar dispozitat ligjore.
Të pranishmit theksuan se faktor për numrin e vogël të rasteve për të kërkuar alimentacion është se shumë gra nuk kanë dijeni se mund ta realizojnë këtë të drejtë. Një faktor tjetër është edhe frika për të kërkuar një gjë të tillë, koha e gjatë e shqyrtimit të këtyre lëndëve nga ana e gjyaktës, si dhe gjendja e vështirë ekonomike për detyrimin e realizimit të alimentacionit.
Në fund të takimit të pranishmit dhanë edhe rekomandimet e tyre, ku në mes të tjerash theksuan si të rëndësishme rritjen e numrit të gjyqtarëve, trajnimin e gjyqtarëve, si dhe trajtimi i lëndëve të kësaj natyre me urgjencë, pasi që nëse trajtimi i këtyre lëndeve bëhet pas dy viteve, siç edhe ndodh shpesh, kjo gjë ndikon jashtëzakonisht keq. Pasi kjo çështje është mjaft problematike dhe nuk duron shtyerje ngase në pyetje është banimi, ushqimi dhe shkollimi i fëmijës.