Prishtinë, 27 mars 2019
Të alarmuar nga deklarata e prokurorit Rexhep Maqedonci, të publikuar me datë 25 mars 2019, në portalin Kallxo.com, më saktësisht artikullin “Prokurori Rexhep Maqedonci e quan ‘të poshtër’ studenten që u ankua për ngacmim seksual”, ne të poshtëshënuarit shprehim shqetësimin tonë mbi qasjen dhe deklaratat e dhëna nga prokurori në fjalë.
Duke mos dashur të ndikojmë në hetimin e pavarur të prokurorisë së shtetit, shoqëria civile konsideron se deklarata e prokurorit është paragjykuese, ofenduese dhe dekurajon viktimën dhe viktimat e radhës për të denoncuar raste të ngjashme në prokurori.
Qëndrimet e prokurorit se ngacmimi nuk mund të raportohet pas tri vitesh dhe pretendimet se rasti është një shpifje ende pa e dëgjuar deklaratën e viktimës tregojnë për qasje të gabuar të prokurorisë së shtetit në trajtimin e këtyre rasteve. Në fund prokurori paralajmëron se do merret edhe me denoncuesit gjë që është një mesazh i qartë për viktimat e tjera të radhës të cilat marrin guximin të raportojnë qështje të tilla në prokurori. Nuk ka asnjë limit kohor në kodin penal të Kosovës që e ndalon palën ta raportojë ngacmimin seksual, andaj nuk është e drejtë e prokurorit të paragjykoj se a do ta hetojë rastin a jo bazuar në atë se kur është raportuar.
Prokurori Rexhep Maqedonci, në vend se të inicoj hetime të pavarura dhe objektive në rastin e raportimit të ngacmimit seksual, ka vendosur që të bëjë “fajësimin e viktimës”, duke ndikuar kështu direkt në mbarëvajtjen e hetimit si dhe duke frikësuar e shantazhuar viktimën e ngacmimit seksual që ta vazhdoj raportimin dhe kërkimin e drejtësisë në lidhje me pohimin se profesori e ka ngacmuar seksualisht. Në deklaratën e tij, prokurori kishte theksuar se raportimi po bëhet 3 vite pas përjetimit të ngacmimit seksual, dhe këtu kishte shfrytëzuar rastin të kërcënoj edhe bashkëshortin e viktimës.
Sipas Ligjit Kundër Diskriminimit në Kosovës dhe Direktivës së Bashkimit Evropian 2002/73/EC për Trajtimin e Barabartë në Punësim për Burrat dhe Gratë, të plotësuar nga Direktiva e Bashkimit Evropian, e datës 5 korrik 2006 për Zbatimin e Parimit të Trajtimit të Barabartë të Grave dhe Burrave në Punësim dhe Profesion, personat që ankohen për diskriminim apo ngacmim para gjykatës apo ndonjë institucioni tjetër juridik, ia lënë barrën e provës personit kundër të cilit parashtrohet ankesa. Ky person duhet të provojë se akuzat kundër tij apo saj nuk janë të vërteta, përmes ofrimit të provave që dëshmojnë se nuk ka pasur shkelje.
Poashtu, që nga janari i vitit 2019, Ngacmimi Seksual, është definuar në Kodin Penal, si vepër penale, ku në par. 3 të këtij neni thuhet se: “Kur vepra penale nga paragrafi 1 i këtij neni kryhet nga kryesi i cili është mësues, udhëheqës fetar, profesionist i kujdesit shëndetësor, person të cilit i është besuar rritja ose kujdesi i personit të tillë apo në ndonjë mënyrë tjetër ka pozitë të autoritetit mbi atë person, kryesi dënohet me burgim prej gjashtë (6) muaj deri në tre (3) vjet”.
Marrë parasyshë ecurinë e këtij hetimi nga prokurori Rexhep Maqedonci, përmes kësaj letre, ne përfaqësuesit e shoqërisë civile kërkojmë shkarkimin e këtij prokurori nga rasti në fjalë për arsye të anshmërisë me palën e akuzuar dhe trajtimit jo të denjë të viktimës në fjalë. Paragjykimet e prokurorit në fjalë e privojnë nga kërkimi i drejtësisë secilën viktimë të ngacmimit seksual ndërsa inkurajon ngacmuesit e tjerë potencial, të vazhdojnë me ngacmimet e tyre.
Është shumë e rëndësishme që Prokuroria e Shtetit dhe Këshilli prokurorial i Kosovës të distancohen nga qëndrimet e proklamuara të prokurorit Maqedonci në deklarimin e tij para publikut. Në të kundërtën kjo do mirret si një aprovim në heshtje i qasjes së tillë në hetimin e ngacmimeve seksuale.
Rikujtojmë Kryeprokurorin e Shtetit, Këshillin Prokurorial të Kosovës si dhe prokurorët në të gjitha prokuroritë e Kosovës, se trajtimi i ngacmimeve seksuale dhe formave të tjera të dhunës dhe ngacmimit seksual ndaj grave dhe vajzave, kërkojnë trajtim serioz, qasje objektive dhe mbi të gjitha kuptim të marrëdhënies së pushtetit dhe normave sociale diskriminuese ndaj grave dhe vajzave. Andaj, le të shërbej ky rast që këto institucione përfshirë edhe Akademinë e Drejtësisë, të angazhohen në ngritjen e kapaciteteve të prokurorëve dhe gjyqtarëve të cilët trajtojnë rastet e dhunës dhe ngacmimeve seksuale me qëllim që viktimat e këtyre krimeve të pranojnë trajtim me dinjitet dhe ushtruesit e tyre të marrin dënimet meritore.
Nënshkruar nga:
Alter Habitus
Anibar
Community Development Fund – CDF
Dajana Berisha, Aktiviste
Ellen Frank-Lajqi, Aktiviste
Environmentally Responsible Action (ERA) group
FEMaktiv
Forumi për Iniciativa Qytetare – FIQ
Fondi Kosovar i Shoqërisë Civile – KCSF
GAIA Kosovo
Instituti Kosovar për Kërkime dhe Zhvillime të Politikave – KIPRED
Instituti I Prishtinës për Studime Politike (PIPS)
INTEGRA
Nisma e të Rinjëve për të Drejtat e Njeriut – YIHR
Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim – ORCA
Programi per Studime dhe Hulumtime Gjinore UP
Qendra e Trajnimeve dhe Burimeve për Avokim – ATRC
Qendra Kosovare për Studime Gjinore – QKSGJ
Qendra për art bashkëkohor “Varg e Vi”
Qendra për Art dhe Komunitet – Artpolis
Qendra për Zhvillimin e Grupeve Shoqërore – CSGD
Rrjeti Ballkanik i Gazetarisë Hulumtuese – BIRN
Rrjeti i Grave të Kosovës – RrGK
Rrjeti i Organizatave të Kulturës
Syri i Vizionit