Organizata anëtare e Rrjetit të Grave të Kosovës (RrGK), “Shqiponjat e Dardanës”, përfituese nga rundi i 15 i Fondit të Grave të Kosovës (FGK), ka mbajtur takime me gra dhe vajza të fshatrave të ndryshme të komunës së Lipjanit e të Graçanicës.
Qëllimi i këtyre takimeve ishte avokimi për përkrahjen e kandidateve në zgjedhjet lokale të tetorit 2021, si dhe ngritja e vetëdijes së grave dhe vajzave nga zonat rurale për rolin e votës së tyre.
Në takimin e mbajtur në Kishnicë më 14 tetor, të pranishme ishin qytetare nga komunitete të ndryshme që jetojnë në Graçanicë.
Me këtë rast, Drejtorja e Organizatës “Shqiponjat e Dardanës”, Havushe Bunjaku, i njoftoi pjesëmarrëset me kandidatet e të gjitha komuniteteve, si dhe falënderoi RrGK-në për mbështetjen e dhënë për realizimin e këtyre takimeve informuese, të rëndësishme për ngritjen e pjesëmarrjes së grave në politikë dhe vendimmarrje.
Pjesëmarrëset treguan arsyet pse komuna e tyre ka nevojë për gra në asamble, dhe pse do t’i votojnë ato.
“Një grua në kuvend komunal do të thotë se do të dëgjohej zëri i të gjitha vajzave dhe grave. Problemi kryesor që duhet adresuar është punësimi e trajnimi, në mënyrë që të jemi të pavarura dhe të parandalohen martesat e hershme”, u shpreh pjesëmarrësja Samira Selimoviç.
“Do të votoj për gra sepse ato i dinë më së miri problemet tona të përditshme. Kemi nevojë që të na ndihmojnë në punësim e financim të nismave tona, dhe të mos ketë vetëm burra në vendimmarrje”, tha pjesëmarrësja tjetër Raba Saliheviç.
Ndërsa për Rita Gashin, e vetëpunësuar në sektorin e mbledhjes së bimëve mjekuese, është e rëndësishme të ketë përkujdesje për fëmijët.
“Jam nënë e pesë fëmijëve dhe aktivitetin tim e ka penguar mjaft shumë mungesa e një çerdheje. Një grua në asamble besoj se do ta trajtonte këtë çështje me seriozitet, në mënyrë që gratë të kenë mundësi t’i zhvillojnë veprimtaritë e tyre”, vlerësoi ajo.
Aktivitetet e organizatës “Shqiponjat e Dardanës” do të vazhdojnë edhe pas zgjedhjeve, me ç’rast do të organizohen takime me gratë e përzgjedhura në asambletë komunale të Lipjanit e Graçanicës, si dhe me udhëheqës të partive politike.
Këto aktivitete janë mbështetur nga Zyra e Bashkimit Evropian (BE) në Kosovë përmes nismës “Fuqizimi i Pjesëmarrjes së Grave në Politikë”, në kuadër të rundit të 15 të FGK-së. Kujtojmë se këtë rund e kanë përkrahur edhe Fondi Popullor i Organizatës së Kombeve të Bashkuara (UNFPA), dhe Agjencia Austriake për Zhvillim (ADA), njësia operacionale e Agjencisë Austriake për Bashkëpunim.