Për 20 vjet me radhë, mijëra gra dhe vajza që kanë përjetuar dhunë në familje dhe dhunë në baza gjinore kanë gjetur strehim dhe siguri në strehimoren “Shtëpia e Sigurtë” në Gjakovë.
Kujdesi shëndetësor dhe siguria fizike për viktimat e dhunës në baza gjinore, fuqizimi ekonomik i viktimave dhe trajtimi i kryesve të dhunës janë disa prej aktiviteteve që kjo strehimore zhvillon ndër vite.
Aktivitete të ngjashme “Shtëpia e Sigurtë” ka zhvilluar edhe nga 1 prilli i 2022-tës deri më 31 mars të këtij viti, ku 30 gra të strehuara kanë përfituar këshilla psiko-sociale dhe juridike.
Kjo strehimore si përfituese e grantit nga raundi i 17-të i Fondit të Grave të Kosovës (FGK) në kuadër të nismës “Fuqizimi psiko-social i grave që kanë përjetuar dhunë në familje dhe ngritja e vetëdijes se partnereve abuziv përmes këshillimit psiko-social” këshilla të ngjashme iu ka dhënë edhe pesë burrave – kryes të dhunës në baza gjinore.
Para mbajtjes së këtyre seancave, vetë strehimorja ka mbajtur aktivitete për ngritjen e kapaciteteve të saj organizative për trajtimin e kryesve të dhunës.
Erblina Dinarama, drejtoreshë e strehimores “Shtëpia e Sigurt” thotë se trajtimi i kryesve të dhunës bëhet në seanca individuale dhe zgjatë prej katër deri në gjashtë muaj varësisht prej rastit.
“Në fund të trajtimit bëhet raporti për çdo individ dhe dërgohet te institucionet gjegjëse. Për shembull, nëse një kryes i dhunës ka ardhur me vendim nga Gjykata Themelore, ne përmes shërbimit sprovues e marrim për trajtim kryesin e dhunës, pas përfundimit të trajtimit përgatisim raportin individual të punës dhe ia dërgojmë shërbimit sprovues”, ka shpjeguar ajo.
Mirëpo, Dinarama ka përmendur edhe disa prej sfidave në trajtimin e kryesve të dhunës.
“Pjesa më sfiduese e trajtimit të kryesve të dhunës është ta bindësh një kryes të dhunës që të vijë në trajtim psiko-social, sepse mendojnë se nuk kanë bërë asgjë gabim. Mirëpo, trajtimi i këtyre personave mund të bëhet duke na kontaktuar apo përmes insitucioneve gjegjëse si gjykata apo qendra për punë sociale”, tha Dinarama.
Në përgjithësi, rehabilitimi i partnerëve të dhunshëm ose abuzues mund të jetë një proces sfidues, por i vlefshëm. Mund të ndihmojë për të thyer ciklin e dhunës, për të mbrojtur viktimat, për të promovuar marrëdhënie të shëndetshme dhe për të adresuar çështjet themelore që mund të kontribuojnë në sjelljen abuzive.
Krahas këtij aktiviteti, “Shtëpia e Sigurtë” përgjatë një viti ka arritur të informojë 20 mijë persona për të drejtat e tyre ligjore përmes mediave socale, këshillimit online dhe përmes telefonit.
Erblina Dinarama thotë ofrimi i shërbimeve psiko-sociale dhe juridike për gratë-viktima të dhunës me bazë gjinore ose në familje është bërë përmes takimeve ballë për ballë, tele-këshillimit dhe linjës telefonike falas të kësaj strehimoreje.
“Këto janë zhvilluar nga këshilluesja psikosociale dhe psikologia, po ashtu janë mbështetur edhe nga juristja e strehimores,” thotë Dinarama.
Ky projekt i Shtëpisë së Sigurt u mbështet nga FGK, financuar nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë përmes nismës së RrGK-së “Ngritja e kapaciteteve dhe qëndrueshmërisë së OShC-ve: Avancimi i barazisë gjinore në mes të pandemisë COVID-19”.