Më 23-24 shkurt, Grupi i Grave Deputete në Kosovë organizoi konferencën rajonale të titulluar “Parlamentet dhe Rezoluta 1325: Perspektiva nga Ballkani Perëndimor” në Prishtinë. Konferenca mblodhi së bashku parlamentarë nga vende të ndryshme të rajonit për të diskutuar përvojat e tyre me zbatimin e Rezolutës 1325 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara mbi Gratë, Paqen dhe Sigurinë.
Në panelin e dytë, Igballe Rogova, Drejtoresha Ekzekutive e Rrjetit të Grave të Kosovës, foli për rolin e shoqërisë civile në zbatimin e Rezolutës 1325. Ajo dha shembuj se si aktivistët kanë bashkëpunuar me gratë deputete në përdorimin e Rezolutës 1325 për të nxitur pjesëmarrjen e grave në negociata dhe më vonë në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Ajo theksoi rëndësinë e solidaritetit mes grave, duke përfshirë gratë deputete dhe aktiviste të shoqërisë civile. “Ne mund ta ndryshojmë dhe ta çojmë agjendën përpara vetëm nëse jemi të bashkuara,” tha ajo.
Lidhur me këtë, ajo foli edhe për veshjen e këpucëve të kuqe të martën si pjesë e Lëvizjes së Këpucëve të Kuqe që RrGK vazhdon ta mbështesë. Këpucët e kuqe simbolizojnë solidaritetin midis grave dhe përkushtimin për të mos folur negativisht për gratë e tjera, por për të kërkuar fuqizimin. Veshja e këpucëve të kuqe të martën është një shenjë vizuale e përkushtimit të dikujt ndaj solidaritetit dhe inkurajon të tjerët që t’i bashkohen kësaj lëvizjeje. Ajo inkurajoi gratë parlamentare që t’i bashkohen lëvizjes dhe të demonstrojnë mbështetjen e tyre për solidaritetin midis grave, duke ndërtuar njëra-tjetrën dhe duke sjellë ndryshime së bashku.