Më 21 janar, studentet dhe studentët e Programit Master për të Drejtat e Njeriut të Aplikuara nga Universiteti i Arteve të Aplikuara në Vjenë, Austri, u takuan me ekipin e Rrjetit të Grave të Kosovës (RrGK), si pjesë e vizitës tradicionale vjetore të këtij universiteti në Kosovë.
Studentet shprehën interesimin e tyre për të mësuar më shumë rreth punës së RrGK-së, iniciativave më të fundit dhe sfidave që lidhen me proceset aktuale në Kosovë.
Nicole Farnsworth, Zëvendës Drejtoreshë dhe Udhëheqëse e Hulumtimeve në RrGK, dhe Krenare Buzhala, Koordinatore për Marrëdhënie me Publikun, i mirëpritën studentet/ët. Ato ofruan një pasqyrë më të thellë mbi pabarazitë mes grave dhe burrave, të cilat RrGK po përpiqet t’i adresojë. Krenarja prezantoi Strategjinë dhe Programet e RrGK-së, ndërsa Nicole iu përgjigj pyetjeve të shumta të studenteve/ëve, të cilat lidhen me dhunën me bazë gjinore në Kosovë dhe shërbimet e disponueshme; të drejtat e komunitetit LGBTQI+; ndërthurjen mes të drejtave fetare dhe barazisë gjinore; si dhe mbështetjen për gratë e reja, ndër të tjera.
Studentet dhe studentët ngritën gjithashtu pyetje mbi dinamikat shoqërore, presionin për ndryshim, politikën dhe marrëdhëniet mes Kosovës dhe vendeve fqinje, duke reflektuar mbi ndryshimet dhe sfidat që ndodhin brenda dhe përtej kufijve të Kosovës.
Ky takim shërbeu si një mundësi e mirë për studentet/ët që të kuptojnë më mirë jetën e përditshme të njerëzve në Kosovë, veçanërisht sfidat me të cilat përballen gratë. U theksuan përpjekjet e vazhdueshme për ndryshime ligjore, puna e palodhshme e RrGK-së dhe e organizatave të tjera joqeveritare për të përmirësuar jetën e grave dhe grupeve të margjinalizuara në vend.
Studentet/ët shprehën mirënjohjen e tyre për atë që e cilësuan si një sesion “frymëzues”.