Studentët e UP-së informohen me programin e RrGK-së për adresimin e dhunës në bazë gjinore

Të premten, më 31 mars, Besarta Breznica, Zyrtare e Programit për Adresimin e Dhunës në Baza Gjinore në Rrjetin e Grave të Kosovës ka mbajtur një ligjëratë për studentët e Fakultetit Filozofik, Departamenti i Punës Sociale të Universitetit të Prishtinës. Në ligjëratën me temën “Dhuna me bazë gjinore në Kosovë”, Breznica e paraqiti punën e RrGK-së në adresimin e dhunës me bazë gjinore, kontributin në ndryshimin e ligjeve të shumta dhe hulumtimet e monitorimet në këtë fushë.

Në mënyrë specifike ajo ua shpjegoi studentëve legjislacionin e Kosovës që lidhet me mbrojtjen e rasteve të dhunës në baza gjinore.

Duke iu përgjigjur interesimit të studentëve lidhur me procedurat që duhet ndjekur që nga raportimi i një rasti të dhunës e deri të zgjidhja e problemit, Breznica ka përmendur edhe rastet praktike se si janë trajtuar në institucionet e Kosovës.

Në këtë kuadër, ajo nuk ka lënë pa përmendur edhe qasjen e ndjeshme gjinore.

Një aspekt që zgjoi interesim te studentët ishte edhe kujdesi që punëtorët sociale që ofrojnë shërbime duhet ta kenë ndaj vetes, në mënyrë që mos të përballen me ‘djegien profesionale’ apo siç njihet ndryshe “professional burnout”.

RrGK që nga viti i kaluar ka mbajtur trajnime të vazhdueshme me punëtorët e Qendrave të Strehimit nëpër rajonet e Kosovës duke iu ofruar informacione se si të shmangin gjendjen e rënduar emocionale, fizike dhe mendore që shkaktohet nga stresi i tepërt dhe i zgjatur në vendin e punës.

RrGK në vazhdimësi trajton dhe ndihmon viktimat e dhunës në familje dhe asaj me bazë gjinore. 

RrGK mbetet e hapur ndaj bashkëpunimit dhe ndihmës për viktimat e dhunës me bazë gjinore përmes këshillimit ligjor falas dhe referimit tek institucionet relevante. Nëse keni nevojë për ndihmë juridike falas për rastet e dhunës me bazë gjinore, apo njihni dikë që ka nevojë, na kontaktoni në numrin: 038 245 850.