Studentët nga Amsterdami vlerësojnë aktivizmin e RrGK-së

Më 13 qershor në ambientet e Fakultetit Juridik të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” një grup studentësh nga Universiteti i Amsterdamit, Holandë u takuan me Drejtoren Ekzekutive të Rrjetit të Grave të Kosovës (RgGK), Igballe Rogova dhe Koordinatoren e Projekteve, Nertila Qarri-Gërguri.

Studentët u njoftuan me procesin e ndërtimit të paqes dhe aktivizmin në Kosovë në vitet e 90-ta .

Rogova gjatë bashkëbisedimit me studentë, u ka folur atyre për Shoqatën “Motrat Qiriazi”, për historinë e lëvizjeve të para për të drejtat e grave në Kosovë, si dhe për punën e bërë nga RrGK që nga themelimi.

Kurse, Qarri-Gërguri para studentëve ka shpalosur një pasqyrë të përgjithshme të punës dhe strategjisë së tanishme të RrGK-së.

Meqë ky nuk ishte viti i parë në të cilin RrGK takohet me studentë nga ky universitet, ata treguan interes për të mësuar më shumë për përvojat e aktivisteve për të drejtat e grave në Kosovë, si dhe problemet e zhvillimet e fundit në këtë fushë.

Studentët e vlerësuan këtë takim si një përvojë të çmuar dhe mundësi të mirë për të kuptuar nga afër rrjedhën e proceseve kulturore e sociale përgjatë periudhave të ndryshme nëpër të cilat ka kaluar Kosova.