Rina Ajeti, studente e vitit të dytë në universitetin e Maastricht në Holandë, ku ajo po ndjek studimet bachelor për Ligjin Evropian, këtë verë ishte vullnetare në ekipin e Rrjetit të Grave të Kosovës (RrGGK) për hulumtimin mbi qasjen e grave në kujdesin shëndetësor.
Rina, gjithmonë ka qenë e interesuar që të mësojë më shumë rreth zbatimit të së drejtës ndaj kujdesit shëndetësor dhe promovimit të tij në Kosovë. E lindur në Gjermani nga prindër shqiptar, ajo ndjen një obligim të fuqishëm për të eksploruar Kosovën nga një perspektivë më ndryshe
Gjatë praktikës së saj në RrGGK, ajo ka intervistuar akterët kryesorë të fushës së mjekësisë në institucione të ndryshme shëndetësore, duke transkriptuar intervista dhe duke i përkthyer në gjuhën angleze për anëtarët e tjerë të ekipit hulumtues. Rina gjithashtu ka punuar në analizimin e ligjeve ekzistuese në Kosovë, nga një perspektivë evropiane dhe ndërkombëtare të të drejtave të njeriut.
"Me padurim po pres të aplikoj kornizën ligjore ekzistuese me të dhënat e gjetura për të parë se cilat janë boshllëqet në zbatimin e ligjeve në Kosovë," tha ajo.
Gjatë praktikës së saj, ajo tha se ka marrë informacione të vlefshme në lidhje se si bëhen hulumtimet, si të punohet në një ekip dhe si të komunikosh me njerëz të fushave të ndryshme profesionale. Gjithashtu, ajo ka mësuar shumë për ligjet që kanë të bëjnë me kujdesin shëndetësor në Kosovë, se si funksionon sistemi dhe ku qëndrojnë të metat në zbatim.
Edhe pse Rina ka përfunduar dje praktikën e saj në Kosovë, ajo ka në plan të vazhdojë të kontribuojë në finalizimin e raportit, edhe pas largimit të saj. Ajo do të shkruajë kapitullin mbi ligjin, që do të jetë pjesë e publikimit final, i cili do të dalë më vonë këtë vit.