Studentja Kosovare-Amerikane ndanë “pasionin” për adresimin e pabarazive, me praktikë në RrGGK

Gjatë kësaj vere, zyra e Rrjetit të Grupit të Grave të Kosovës (RrGGK) ka mirëpritur praktikante nga vende të ndryshme Evropiane dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Një ndër praktikantet e cila ka kontribuar në hulumtimin mbi qasjen e grave në kujdesin shëndetësor është Natyra Hertica, e cila që në moshën 2 vjeçare ka emigruar në SHBA së bashku me familjen e saj.
      Natyra është studente e vitit të tretë në Universitetin e Washington, ku studion në degën e Shëndetit Publik, Antropologjisë Medicinale dhe të Shëndetit Global. Natyra ka punuar me ekipin hulumtues të RrGGK vullnetarisht për dy muajt e fundit.
 
    Gjatë kësaj kohe, ajo ka pasur mundësi të marrë pjesë në trajnime të ndryshme që lidhen me intervistimin dhe metoda të hulumtimit. Së bashku me praktikantët e tjerë, ajo ka bërë intervista në lidhje me hulumtimet në komuna si: Prizren, Pejë, Gjakovë, Gjilan, Vushtrri, Mitrovicë, Ferizaj dhe Prishtinë.
 
    “Nga pasioni për përmirësimin e pabarazive shëndetësore jam bërë pjesë e këtij ekipi”, tha Natyra. “Gjatë praktikës në RrGGK, kam mësuar më shumë për barrierat që i pengojnë gratë në Kosovë që të kenë qasje cilësore në kujdesin shëndetësor”. Natyra është shumë e lumtur që me punën dhe angazhimin e saj ka kontribuar në një hulumtim kaq të rëndësishëm.
    RrGGK është përshëndetur dje me Natyrën dhe janë shumë mirënjohës për kontributin e saj në realizimin e objektivave strategjike të RrGGK-së, në lidhje me qasjen e grave në kujdesin shëndetësor.