Sot, nga subjektet politike në Kosovë, u nënshkrua Deklarata për rritjen e përfshirjes së grave në proceset zgjedhore.

Subjektet politike nënshkruajnë Deklaratën për rritjen e përfshirjes së grave në proceset zgjedhore

Subjektet politike të Republikës së Kosovës, sot, nënshkruan Deklaratën për rritjen e përfshirjes së grave në proceset zgjedhore. Kjo ceremoni u organizua nga Instituti Demokraci për Zhvillim (D4D). Nënshkrimi i kësaj Deklarate nënkupton që subjektet politike nënshkruese janë zotuar që të trajtojnë çështjen e barazisë gjinore në proceset zgjedhore. Përderisa Deklarata u nënshkrua nga përfaqësuesit e 10 subjekteve politike të pranishëm në ceremoni, ajo do të jetë e hapur për nënshkrim edhe për një muaj, duke iu mundësuar nënshkrimin e saj edhe subjekteve që nuk mund të ishin të pranishëm sot.
     Deklarata e nënshkruar synon rritjen e përfaqësimit të grave në trupat menaxhuese të zgjedhjeve që nga niveli qendror, në nivel komunal dhe në nivel të vendvotimeve. Në nivel vendi, synohet që të arrihet përfaqësim prej të paktën 40% dhe deri në arritjen e përfaqësimit të barabartë për të dy gjinitë. Po ashtu, Deklarata përmbanë zotimin e subjekteve politike për hartimin e strategjive dhe planeve për rritjen e pjesëmarrjes së grave si dhe përmirësimin e strukturës gjinore përbrenda partive.
     Nënshkrimi i Deklaratës për rritjen e përfshirjes së grave në proceset zgjedhore është një aktivitet që D4D e ka zhvilluar në bashkëpunim me Fondacionin Ndërkombëtar për Sisteme Zgjedhore (IFES), financuar nga Agjencioni për Zhvillim Ndërkombëtar i Shteteve të Bashkuara (USAID) dhe synon sensibilizimin e shoqërisë për përfitimet në pjesëmarrjen e barabartë gjinore në proceset zgjedhore.
     Të pranishëm në këtë ceremoni, përveç subjekteve politike, ishin edhe përfaqësuesit e institucioneve, ambasadave të akredituara në Kosovë, organizatave ndërkombëtare dhe shoqërisë civile përfshirë këtu edhe të Rrjetit të Grupeve të Grave të Kosovës (RrGGK).