Në Kosovë, shumë gra që kanë përjetuar dhunë seksuale gjatë luftës vazhdojnë të përballen me pasoja të thella psikologjike dhe shoqërore. Situata e tyre u përkeqësua edhe më shumë gjatë pandemisë COVID-19, kur vonesat në procesin e njohjes ligjore dhe verifikimit të statusit si viktima lufte u shoqëruan me rikthimin e kujtimeve traumatike për shkak të izolimit të zgjatur.
Në këtë moment kritik, Qendra për Promovimin e të Drejtave të Grave (QPDG) në Drenas ndërhyri për të ofruar mbështetjen e nevojshme. Përmes kësaj nisme, 30 gra të mbijetuara të dhunës seksuale gjatë luftës morën pjesë në sesione grupore psikosociale, punëtori mbi edukimin shëndetësor dhe aktivitete të cilat synonin nxitjen e ndërveprimit shoqëror dhe përmirësimin e mirëqenies psikologjike.
Gjatë tre muajve, tri grupe me nga dhjetë gra secila morën pjesë në terapi psikosociale që u mundësuan të ndajnë përvojat e tyre, të dalin nga izolimi dhe të rifitojnë gradualisht vetëbesimin. Aktivitetet relaksuese dhe argëtuese – si meditimi, diskutimet dhe momentet e të qeshurave – ndihmuan në uljen e stresit të përditshëm dhe krijuan hapësira të vogla lehtësimi nga barra e traumës.
Gjithashtu, u mbajtën ligjërata mbi të drejtën e grave për kujdes shëndetësor cilësor. Këto sesione trajtuan tema si zbulimi dhe trajtimi i hershëm i kancerit të gjirit, shëndeti riprodhues dhe seksual, si dhe infeksionet seksualisht të transmetueshme. Ligjëruesit/et dhe pjesëmarrëset diskutuan edhe për rëndësinë e edukimit seksual në shkolla dhe nevojën për ta përcjellë këtë njohuri tek gjeneratat e reja. Sesioni i fundit u fokusua në të drejtat e qytetarëve në rastet e shkeljeve në shëndetësi, duke ofruar udhëzime praktike për mënyrën e shfrytëzimit të burimeve ekzistuese në raste të tilla.
Pas këtyre sesioneve, grave pjesëmarrëse u janë ofruar mamografi dhe analiza për diabet falas. Shumica i kryen këto kontrolla, e për disa prej tyre kjo ishte hera e parë. Gratë që rezultuan me nivel të lartë të sheqerit në gjak morën kujdes shtesë shëndetësor dhe këshillim për menaxhimin e gjendjes.
Gjatë gjithë nismës, vëmendje e veçantë iu kushtua grave të cilave u ishte refuzuar kërkesa për njohjen e statusit të të mbijetuara të dhunës seksuale gjatë luftës. Sesionet u dhanë atyre një ndjenjë të rrallë të pranimit dhe përkatësisë, duke u rikujtuar rëndësinë dhe vlerën e përvojave të tyre.
Hap pas hapi, këto takime ndërtuan një komunitet mbështetës, ku gratë jo vetëm u përballën me të kaluarën, por edhe filluan të imagjinojnë një të ardhme ndryshe. Në fund të nismës, të mbijetuarat e përshkruan veten si më të lidhura me njëra-tjetrën, më pak të izoluara dhe më të përgatitura për t’u përballur me sfidat e përditshme.
“Rehabilitimi, përballja me traumën, ndjenja e përkatësisë, siguria dhe fuqizimi, si dhe lufta kundër stigmatizimit janë shërbimet kryesore që ofron organizata jonë. Zëri i të mbijetuarave nuk do të heshtë kurrë – çdo ditë do të bëhet më i fuqishëm dhe më i pranishëm,” – thotë psikologja e QPDG-së, Anita Istogu.
QPDG vazhdon të ofrojë sesione individuale që kanë për qëllim rehabilitimin, përballjen me traumën dhe zhvillimin e një stili të shëndetshëm jetese, si dhe sesione grupore që ndihmojnë gratë të mësojnë teknika të menaxhimit emocional, përballimit të stresit, forcimit të ndjenjës së përkatësisë dhe ndarjes së përvojave. Gratë mblidhen rregullisht në Qendër, ku mirëpriten si ato që tashmë e kanë fituar statusin ligjor, ashtu edhe ato që janë ende në proces aplikimi.
“Kjo është shtëpia jonë e dytë. Këtu ndihemi mirë dhe të sigurta. Sa herë që na thërrasin, vijmë me gëzim, takohemi me stafin dhe me njëra-tjetrën, krijojmë miqësi, bëjmë punime të ndryshme dhe pushojmë. Ndonjëherë vijmë edhe pa ftesë, sepse nëse kalojnë një apo dy javë pa ardhur, na mungon shumë ky vend,” – rrëfen një nga të mbijetuarat.
Iniciativa “Ofrimi i shërbimeve psikosociale për gratë të cilat kanë përjetuar dhunë seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë” u realizua me mbështetjen e Fondit të Grave të Kosovës (FGK) të Rrjetit të Grave të Kosovës (RrGK), financuar nga Agjencia Austriake për Zhvillim (ADA) dhe bashkëfinancuar nga Agjencia Suedeze për Bashkëpunim Ndërkombëtar për Zhvillim (Sida), në vlerë prej 4,007€, gjatë periudhës tetor–dhjetor 2021. Kjo nismë kontribuoi drejtpërdrejt në programin e RrGK-së “E Drejta për Shëndet”.