Tetë organizata anëtare të RrGGK përfituan grante nga Fondi i Grave të Kosovës me 12 Maj në total prej €22,416. Mbështetur nga Kvinna till Kvinna (Ktk). Ky raund inkurajoi iniciativa që përfshijnë avokimin drejt realizimit të qëllimeve strategjike të RrGGK, të identifikuara nga anëtaret e saj në Planin Strategjik të RrGGK për 2011-2014. . Anëtaret e RrGGK propozuan disa iniciativa avokuese që përfshijnë institucionet lokale dhe kombëtare.
“Sesioni orientues është shumë i vlefshëm për shkak se format e raportimit kanë ndryshuar në raport me vitet e mëhershme. Prandaj është me rëndësi që ne të kemi informata të vazhdueshme lidhur me format e raportimit” –tha një përfituese .
Përfitueset e Granteve përfshijnë:
- Femrat Aktive të Gjakovës do të organizojnë sesione informative për komunitetin Rom, Ashkali dhe Egjiptian në Gjakovë për ligjin për dhunë në familje dhe se si ata mund të përdorin këtë ligj për mbrojtjen e tyre. FAGj poashtu do të monitorojë implementimin e këtij ligji dhe do të organizojë një debat ku do të paraqesin të gjeturat e tyre. (€2.780)
- Vita-Jeta do të avokojë te insitucionet shëndetësore për 600 pensionere për të bërë vizita dhe kontrolla për osteoporozë. Ndërkohë, ato do të përgatisin gratë pensioniste për avokim në lidhje me zbatimin e ligjit pas daljes në pension dhe ligjit për kujdesin shëndetësor dhe sigurim shëndetësor, i cili pritet të miratohet në vitin 2015, që do të sigurojë falas kontrollet për osteoporozën në të ardhmen. (€2.812)
- Fondacioni për Edukim dhe Zhvillim do të trajnojë dhe përfshijë gratë nga Novobërda për të avokuar në komunën e Novobërdës për siguruar transport pa pagesë për banorët e kësaj komune, (€2.665)
- Violetë do të promovojë vajzat e komunitet Rom në fshatin Prugoc, komuna e Prishtinës të cilat janë të suksesshme në shkollë duke i bërë lidere dhe model dhe për të motivuar vajzat tjera për të vazhduar edukimin. Lideret do të jenë pjesë e një iniciative të avokimit, “Ballkan Spring”, ku do të prezantojnë punimet e dorës të punuara nga prindërit e vajzave për të ngritur fonde, për të mbështetur edukimin e vajzave dhe për të përmirsuar integrimin në sistemin edukativ të Kosovës, (€2.780)
- Shqiponjat e Dardanës do të organizojnë për gratë e Graçanicës se si të jenë aktive në politikë duke i informuar ato për të drejtat e tyre politike, duke krijuar këshillat e grave të fshatit, duke organizuar takime në mes tyre dhe të gjitha partive politike dhe duke krijuar një strategji të qartë për funksionimin e këshillit të fshatit për një vit. (€2.804)
- Femra Vizionare e Shekullit XXI do të ngris vetëdijen e banorëve të Hasit të Komunës së Prizrenit dhe Gjakovës rreth sëmundjes së kancerit të gjirit dhe qafës së mitrës përmes mediave lokale. Ato gjithashtu do të avokojnë për një njësit mobil shëndetësor për të vizituar këto dy rajone dhe do të organizojnë një aksion për të mbështetur 10 gra nga rajoni të cilat janë duke vuajtur nga sëmundje kancerogjene. (€2.885)
- Partners Kosova do të organizojë mbledhje me gra, burra dhe zyrtarë për barazi gjinore dhe përfaqësues të institucioneve gjyqësore vendore në Skenderaj, Drenas, Lipjan dhe Ferizaj për të diskutuar për të drejtat e grave në trashëgimi të pronës. (€2.880)
- Norma do të organizojë hulumtime në pesë komuna, mbikëqyrjen e zbatimit të ligjit për procedura të pakontestueshme në vitin 2013. (€2.810)
Fondi u mundëson organizatave rurale dhe/ose të margjinalizuara të kenë çasje në fonde për iniciativa të rëndësishme në nivel lokal.
Ndërkohë, RrGGK u ofron organizatave anëtare aftësi dhe përvoja të reja të cilat u mundësojnë atyre të aplikojnë tek përkrahës të tjerë në të ardhmen.
“Pasi kemi marrë grant në raundin e parë të projektit kemi marrë edhe grante të tjera.”-the një tjetër përfituese. “Besoj se projekti i RrGGK na ka sjellur fat në këtë drejtim dhe na ka hapur rrugë të reja.”
Financuar nga Kvinna till Kvinna dhe IPKO Foundation