The Foundation House feston 10-vjetorin e “Vajzave në TIK”: Një dekadë fuqizimi, frymëzimi dhe lidhjeje me botën e teknologjisë  

Për të shënuar 10-vjetorin e “Vajzave në Teknologjinë e Informacionit dhe Komunikimit (TIK)” dhe Ditën Ndërkombëtare të Vajzave në TIK, The Foundation House (ish-Fondacioni IPKO), organizatë anëtare e Rrjetit të Grave të Kosovës (RrGK), organizoi më 24 prill një konferencë frymëzuese në kampusin e Institutit të Roçesterit për Teknologji (RIT Kosova. Duke kremtuar një dekadë frymëzimi dhe fuqizimi për vajzat dhe gratë e reja në fushën e teknologjisë, kjo ngjarje synoi të rrisë ndërgjegjësimin dhe të nxisë krijimin e një mjedisi të favorshëm në vend, i cili i inkurajon ato të ndjekin karrierë në TIK. Në bashkëpunim me RIT Kosova, The Foundation House ka organizuar ngjarje me ndikim përgjatë këtyre dhjetë viteve, duke ofruar një platformë për ndarjen e tregimeve të suksesit, nxitjen e rrjetëzimit dhe krijimin e mundësive të reja për të rejat dhe profesionistët në sektorin e TIK-ut. 

Znj. Artane Rizvanolli, Ministre e Ekonomisë, foli për përparimin e vajzave dhe grave që ndjekin studimet në fushat STEM dhe Energji. Ajo theksoi rëndësinë e bursave që synojnë të inkurajojnë më shumë vajza dhe gra të zgjedhin këto fusha si rrugë profesionale.  

Abetare Gojani, Drejtoreshë Ekzekutive e The Foundation House, foli për një dekadë rritjeje dhe ndikimi. Ajo theksoi rëndësinë e projektit kryesor të dedikuar vajzave në TIK – një iniciativë që u ofron të gjitha vajzave në Kosovë jo vetëm mundësinë për të përdorur teknologjinë, por edhe për ta zhvilluar dhe krijuar atë më tej. Pas një dekade, mbi 3000 vajza kanë kaluar nëpër dyert e The Foundation House.  “Sot, pas dhjetë vitesh, ne vazhdojmë të besojmë se kur i beson një vajze, ajo mund ta transformojë botën tha ajo ndër të tjera në fjalimin e saj.  “Megjithatë, pavarësisht këtij progresi, të dhënat flasin qartë: më shumë se 55% e të diplomuarve në fushat STEM dhe TIK janë gra, por vetëm 3.5% e tyre janë të përfshira në tregun e punës në këta sektorë. Kjo është një thirrje për veprim – sepse talenti nuk ka gjini”, përfundoi Gojani.  

Çamërie Mazreku, inxhiniere softuerike në Netflix, drejtoi një bisedë frymëzuese që e mbushi sallën me motivim dhe energji. Prania e saj në një pozitë kaq prestigjioze në një kompani globale si Netflix frymëzoi thellësisht vajzat që tashmë janë në rrugën drejt një karriere në këto fusha. Me vendosmëri dhe punë të palodhshme, ajo theksoi se prejardhja nuk duhet të jetë pengesë për ëndrrat tona: “Nuk ka rëndësi nga vini – gjithmonë mund të arrini ëndrrat që keni. Krahasimi mund të shkatërrojë shumë ëndrra, sepse shpesh kemi më shumë potencial sesa mendojmë”. 

Mazreku shtoi se është thelbësore të punojmë për veten dhe të mos heqim dorë nga synimet tona. “Kompanitë investojnë në ata që investojnë në vetveten” përmbylli Mazreku.  

Konferenca vazhdoi me një panel diskutimi me temën Fuqizimi i zërave: Të rinjtë paraqesin rekomandime politikash në STEM dhe Energji – i moderuar nga Rinora Gojani, Panelistët e rinj – Ema Rudi, Florinda Hasani, Ema Nallbani, Shefki Sllamani and Florent Sahiti – ndanë përvojat e tyre mbi sfidat me të cilat përballen si studentë në fushat STEM dhe të Energjisë, duke dhënë një sërë rekomandimesh për institucionet dhe akterët relevantë.  

Një nga çështjet kryesore të ngritura ishte reduktimi i numrit të orëve të studimit në këto fusha. 

“Çdo gjë që mund ta imagjinoj, duhet të jem në gjendje ta realizoj”, tha Florinda, kur u pyet se çfarë e kishte shtyrë të ndiqte këto fusha studimi.  

Paneli vijoi me diskutimin e dytë: Politikat dhe strategjitë për mbështetjen e të rinjve në STEM dhe Energji, me panelistë Sibel Halimi – Drejtoreshë për Kulturë në Komunën e Prishtinës, Teuta Sahatqija – Ambasadore e Women in Tech Kosovo dhe anëtare e RrGK-së, Laura Kyreziu – Drejtoreshë Ekzekutive e Këshillit për Lidership dhe Zhvillim, si dhe Vigan Perani – Arkitekt dhe Planifikues Urban.. 

Pjesëmarrësit theksuan se, ndonëse mjedisi në këto fusha ka ndryshuar ndjeshëm krahasuar me të kaluarën, ka ende nevojë për bashkëpunim më të ngushtë ndërmjet institucioneve, Universitetit të Prishtinës dhe sektorit privat. Këto bashkëpunime duhet të synojnë krijimin e mundësive të punësimit për gratë dhe rritjen e përfshirjes së tyre në fuqinë punëtore në këta sektorë.  

Znj. Teuta Sahatqija ndau një reflektim personal mbi rrugëtimin e saj, duke kujtuar kohën kur ishte e vetmja studente në drejtimin që kishte zgjedhur. Ajo tregoi se si, në shoqërinë tonë, ekzistonte bindja e përhapur se matematika ishte shumë e vështirë për vajzat dhe se ato duhej të ndiqnin fusha më të “lehta” e më të përshtatshme për to.  

Në vijim të konferencës, u mbajtën disa punëtori, përfshirë Hackathon mbi IA dhe Sigurinë Kibernetike, një aktivitet me zyrtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës, si dhe një sesion hartëzimi me dronë dhe GIS, i udhëhequr nga ekspertë të FSK-së.  

Ngjarja për Ditën Ndërkombëtare të Vajzave në TIK, e mbajtur në R.I.T Kosova, u përmbyll me një panair pune, duke u ofruar pjesëmarrësve një mundësi të shkëlqyer për t’u njohur me mundësitë e punësimit, për të aplikuar dhe për t’u informuar për karrierat e mundshme në sektorin e teknologjisë.