Thirrje BE-së që të investojë në atë që ka rëndësi

Zyrtarë të Bashkimit Evropian (BE) dhe shteteve anëtare të tij, hulumtues, përfaqësues të shoqërisë civile dhe ekspertë në fushën e buxhetimit gjinor u mblodhën në Nikozi për të marrë pjesë në konferencën ndërkombëtare “Buxhetimi gjinor në Kornizën e re Shumëvjeçare Financiare (KShF) të BE-së: Si t’a bëjmë që buxheti t’i shërbejë barazisë gjinore dhe të drejtave të grave në Evropë”, e mbajtur më 26–28 mars 2026. E organizuar nën patronazhin e Presidencës së Qipros, konferenca u përqendrua në buxhetin 7-vjeçar të ardhshëm të BE-së dhe në nevojën për të siguruar që buxheti pasqyron nevojat reale të njerëzve, mbështet barazinë gjinore dhe forcon investimet sociale. Pjesëmarrësit theksuan se buxhetet nuk janë dokumente teknike neutrale, por zgjedhje thellësisht politike që formësojnë jetën e përditshme të njerëzve, përcaktojnë qasjen në shërbime dhe përcaktojnë nëse burimet publike kontribuojnë në barazi apo thellojnë pabarazitë ekzistuese.

Folësit në këtë konferencë shprehën shqetësimin se propozimet aktuale për KShF-në mund të lënë në hije prioritetet sociale. Ata bënë thirrje për buxhete më transparente, të përqendruara tek njerëzit dhe të bazuara në dëshmi konkrete të nevojave, me tregues më të fortë për matjen e ndikimit dhe me lidhje më të qarta ndërmjet shpenzimeve dhe rezultateve në barazinë gjinore.

“Buxhetet për të gjithë duhet t’u shërbejnë të gjithëve” ishte një temë që u rikthye shpesh gjatë konferencës.

Kjo kërkon një kalim nga zotimet e përgjithshme në veprime konkrete, të matshme dhe të financuara në mënyrë të duhur.

Nicole Farnsworth (RrGK) kontribuoi në organizimin e konferencës, si dhe në moderimin dhe diskutimet në kuadër të Rrjetit Mbikëqyrës të Buxhetimit Gjinor (RrMBGj), në bashkëpunim me Rrjetin Evropian të Buxhetimit Gjinor dhe Lobin Evropian të Grave.

Si hulumtuese kryesore, ajo foli për barazinë gjinore në vendet e procesit të anëtarësimit në BE, si dhe në vendet fqinje, duke paraqitur gjetjet dhe rekomandimet kryesore nga një punim rajonal mbi agjendat e reformës në Ballkanin Perëndimor dhe Moldavi, i hartuar nga RrMBGj. Së bashku me panelistë nga Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Ukraina, diskutimi theksoi nevojën për forcimin e gjurmimit të shpenzimeve, përmirësimin e monitorimit dhe sigurimin e mbështetjes së qëndrueshme politike dhe financiare për shoqërinë civile, duke theksuar se “shoqëria civile luan rol kyç në monitorimin e vazhdueshëm dhe në mbështetjen e reformave.”

Një rezultat kyç i konferencës ishte Deklarata e Nikozisë, e cila u bën thirrje institucioneve të BE-së dhe qeverive kombëtare të sigurojnë që buxheti i ardhshëm i BE-së t’i jep përparësi barazisë gjinore, të drejtave të grave, kujdesit dhe investimeve sociale, si dhe të integrojë barazinë gjinore në të gjitha fazat e ciklit buxhetor. Në këtë frymë, pjesëmarrësit nisën gjithashtu një peticion për një buxhet të BE-së që sjell vërtet rezultate për barazinë dhe mirëqenien e njerëzve.

Nënshkruani peticionin këtu.

Deklarata dhe peticioni së bashku forcojnë një vizion të përbashkët për një të ardhme më të mirë për të gjithë. Siç theksuan pjesëmarrësit gjatë gjithë ngjarjes: “Investoni në atë që ka rëndësi: njerëzit.”

RrGK kontribuoi në organizimin e konferencës, si dhe në moderimin dhe diskutimet në kuadër të RrMBGj, në bashkëpunim me Rrjetin Evropian të Buxhetimit Gjinor, Fondacionin Fimonoi dhe Lobin Evropian të Grave, ndër të tjerët. Ata, së bashku me partnerë të tjerë, planifikojnë të vazhdojnë të lobojnë dhe avokojnë gjatë muajve të ardhshëm për zbatimin e rekomandimeve të Deklaratës, në kuadër të negociatave të vazhdueshme për KShF-në.