Thirrje për një buxhet të BE-së që investon në atë që ka rëndësi, njerëzit 

Një letër e përbashkët u është dërguar më shumë se 120 zyrtarëve të BE-së në Parlamentin Evropian, Komisionin Evropian dhe Këshillin e Bashkimit Evropian, duke kërkuar që Korniza e ardhshme Financiare Shumëvjeçare (KAFSh) e BE-së të forcojë prosperitetin, paqen, barazinë dhe demokracinë. 

Letra është dërguar në emër të më shumë se 229 organizatave të shoqërisë civile, rrjeteve dhe institucioneve, që përfaqësojnë mbi 30,944 organizata dhe individë që kanë nënshkruar një peticion online. Ajo shpreh shqetësimin se KAFSh e propozuar rrezikon të zhvendosë burimet nga fushat që promovojnë këto prioritete. 

Nënshkruesit kërkojnë fonde të dedikuara për barazinë gjinore, të drejtat e grave, shërbimet e kujdesit, prioritetet sociale dhe mjedisin në të gjithë buxhetin e BE-së. Ata kërkojnë gjithashtu objektiva të qarta për barazinë gjinore në të gjitha programet e financimit të BE-së, të shoqëruara me tregues, vlera fillestare dhe caqe për matjen e progresit, si dhe caqe të qarta të shpenzimeve për barazinë gjinore në politikat e brendshme dhe të jashtme. Kjo përfshin nevojën për të ndarë financim të posaçëm për organizatat për të drejtat e grave, si aleate kyçe në avancimin e demokracisë, paqes dhe barazisë. 

Letra bën thirrje që këto objektiva dhe financimi përkatës të përfshihen në planet kombëtare dhe rajonale të partneritetit dhe në Agjendat e Reformave, duke siguruar pjesëmarrjen kuptimplotë të shoqërisë civile dhe të organeve të pavarura për barazi gjinore në hartimin e tyre. Ajo gjithashtu u bën thirrje institucioneve të BE-së që të integrojnë perspektivën gjinore gjatë gjithë ciklit buxhetor nga hartimi i programeve deri te zbatimi, monitorimi dhe vlerësimi dhe të përmbushin detyrimet që burojnë nga Traktatet e BE-së për promovimin e barazisë ndërmjet grave dhe burrave në të gjitha aktivitetet e BE-së. 

Peticioni mbetet ende i hapur për nënshkrim nga individët dhe organizatat këtu: link 

Rrjeti i Grave të Kosovës është bashkëpunëtor i ngushtë dhe krenar i European Gender Budget Watchdog Network, Gender Budget Watchdog Network dhe European Women’s Lobby, si dhe i organizatave të tjera që kanë iniciuar këtë peticion.