Thyerja e Heshtjes: Dhuna Psikologjike në Kosovë

Koordinatorja ligjore dhe monitoruesja gjyqësore nga Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK), Melisa Kadolli, mori pjesë në Samitin e 3-të të F’Oda-s përgjatë datave 9-11 korrik, i cili këtë vit kishte në qendër temën e shëndetit mendor duke targetuar vajzat e shkollave të mesme.

Gjatë prezantimit të saj, u fol për rëndësinë e thyerjes së heshtjes dhe adresimit të dhunës psikologjike, duke e trajtuar këtë formë të dhunës si një ndër më të përhapurat dhe njëkohësisht më të nënvlerësuarat. U shpjegua koncepti i dhunës psikologjike, inkriminimi i saj në legjislacionin e Kosovës, si dhe sfidat e shumta me të cilat viktimat përballen gjatë procesit të raportimit, duke filluar nga frika e stigmës, mungesa e besimit në institucionet përgjegjëse, e deri tek reagimi i vonuar dhe shpesh i papërshtatshëm institucional.

Një tjetër aspekt i rëndësishëm që u trajtua gjatë diskutimit ishte fenomeni i “burn out”-it institucional, i cili manifestohet përmes mungesës së ndjeshmërisë, neglizhencës dhe trajtimit jo adekuat të rasteve të dhunës. Kjo shpesh rezulton në mosreagim ose reagim të vonuar nga institucionet që kanë për detyrë të mbrojnë viktimat.

Në fund të prezantimit, pjesëmarrëset u informuan për të drejtat që u garanton ligji dhe për masat mbrojtëse që mund të kërkohen në rastet e dhunës në baza gjinore. U ndanë gjithashtu informacione rreth punës në kuadër të programit të RrGK-së drejt luftimit dhe adresimit të dhunës me bazë gjinore, përfshirë rëndësinë e mbështetjes ligjore për të mbijetuarat e dhunës.

RrGK, mbetet e hapur për bashkëpunim dhe ofron ndihmë për viktimat e dhunës me bazë gjinore përmes këshillimit ligjor falas dhe referimit tek institucionet relevante. Nëse keni nevojë për ndihmë juridike falas për rastet e dhunës me bazë gjinore, apo njihni dikë që ka nevojë, na kontaktoni në numrin: 048 105 800.