Thyerja e heshtjes: drejtësia gjinore në veriun e Kosovës

Dhuna me bazë gjinore dhe dhuna në familje janë dukuri globale që prekin gratë në mënyrë joproporcionale. Në shumë komunitete në Kosovë, dhuna në familje ende shihet si çështje private që duhet zgjidhur brenda familjes. Korniza ligjore e Kosovës për dhunën me bazë gjinore dhe dhunën në familje është e harmonizuar me standardet ndërkombëtare, por zbatimi i qëndrueshëm mbetet sfidë. Pak gra e raportojnë dhunën dhe, edhe kur e bëjnë këtë, rastet e tyre shpesh trajtohen pa ndjeshmëri e seriozitet të mjaftueshëm.

OJQ-ja “Zensko Pravo” synoi ta sjellë këtë çështje në vëmendjen e aktorëve të gjyqësorit dhe të zbatimit të ligjit në veriun e Kosovës, duke nxitur njëkohësisht koordinim më të fuqishëm multi-sektorial për të përmirësuar reagimin ndaj rasteve të dhunës.

Ngritja e ndërgjegjësimit dhe krijimi i besimit

“Zensko Pravo” filloi me ngritjen e ndërgjegjësimit përmes takimeve dhe trajnimeve me prokurorët, avokatët e viktimave dhe gjyqtarë që trajtojnë raste të dhunës në familje dhe të dhunës me bazë gjinore. Pjesëmarrësit diskutuan qasjet e ndjeshme gjinore dhe shqyrtuan studime të rasteve praktike, duke u përballur me sfidat e vazhdueshme në zbatimin e kornizës ligjore të Kosovës, të harmonizuar me standardet ndërkombëtare.

Një tryezë e rrumbullakët mblodhi profesionistë nga gjyqësori, prokuroria dhe organet e zbatimit të ligjit, së bashku me aktorë të shoqërisë civile që punojnë në fushën e dhunës me bazë gjinore, me qëllim të shkëmbimit të pikëpamjeve dhe për të reflektuar mbi pengesat sistemike. Diskutimi që u zhvillua trajtoi çështje të përsëritura të tilla si referimet e papërshtatshme në ndërmjetësim në rastet e dhunës në familje, zhvendosja e viktimave nga shtëpitë e përbashkëta dhe mungesa e mbështetjes për strehim social për të mbijetuarat.

Përmes performancave artistike, një debati dhe një fushate të ndërgjegjësimit publik, gratë, vajzat dhe grupet pakicë arritën të kuptojnë më qartë të drejtat e tyre dhe shërbimet në dispozicion për të mbijetuarat e dhunës.

Njëra nga gjyqtaret që mori pjesë në takime, Vesna Milic, theksoi se shumë të mbijetuara përballen me pasiguri ekonomike, gjë që ua kufizon pavarësinë. Pas rekomandimit të saj, “Zensko Pravo” organizoi gjithashtu një seminar që trajtoi të drejtat pronësore dhe trashëgimore të grave.

Nga njohuritë te përkushtimi

Duke u mbështetur në rritjen e ndërgjegjësimit, nisma kaloi në bashkëpunim aktiv ndërmjet gjyqësorit, prokurorisë, policisë dhe shoqërisë civile. U lidhën tri marrëveshje bashkëpunimi dhe punëtoritë u mundësuan përfaqësuesve kyç të zhvillojnë strategji të përbashkëta për menaxhim më efektiv të rasteve, duke përfshirë përmirësimin e raportimit dhe të përcjelljes së rasteve. U përfshinë edhe institucionet shëndetësore dhe arsimore, duke i forcuar përpjekjet ndërsektoriale për të reaguar në mënyrë të bashkërenduar ndaj incidenteve të dhunës në familje dhe dhunës me bazë gjinore.

Të mbijetuarave iu ofrua mbështetje juridike falas si dhe mbështjetje psiko-sociale. Në mesin e rasteve ishte edhe rasti i një gruaje që kishte duruar 17 vjet sulme të përsëritura dhe mori ndihmë për ta raportuar abuzimin dhe për të siguruar shkurorëzimin; i një i mitur me probleme të sjelljes në familje, i cili u trajtua me terapi së bashku me nënën e tij; si dhe rasti i viktimave rome të dhunës që morën udhëzime ligjore, mbështetje psikologjike dhe strehim të sigurt. Një konsultim ligjor u zhvillua me një nga avokatët e viktimave që ishte pjesëmarrës, Burhan Medjuni, i cili e ndihmoi një të mbijetuar të përfshirë në procedura që ishin në vazhdim e sipër që të të kuptojë procesin ligjor, duke e inkurajuar njëkohësisht që të vazhdojë ta ndjekë rastin.

Këto ndërhyrje vënë në pah sa e rëndësishme është ndihma juridike e qasshme për ndërtimin e besimit në institucione dhe për t’i ndihmuar të mbijetuarat të kërkojnë drejtësi.

Drejt drejtësisë dhe sigurisë për të gjithë

Kjo nismë la një gjurmë të qëndrueshme: ajo vuri themelet për bashkëpunim më të afërt dhe më efikas ndërmjet institucioneve, duke rritur gjithashtu njohuritë e njerëzve për të drejtat e viktimave. “Projekti ‘Të mbrojtura dhe të sigurta’ na mundësoi të ndërmarrim hapa të rëndësishëm në lidhjen e institucioneve dhe organizatave lokale”, thotë Andrijana Strauss, Asistente e Projektit në “Zensko Pravo”. “Për herë të parë, të gjithë aktorët u ulën në të njëjtën tryezë dhe diskutuan për raste konkrete, jo vetëm për procedura. Besoj se ky është një nga kontributet më të mëdha të projektit – bashkëpunim i vërtetë në praktikë”. Mbulimi mediatik i nismës ishte i madh, ku kanale lokale televizive dhe radiofonike i transmetuan aktivitetet dhe punëtoritë, duke e forcuar edhe më tej ndërgjegjësimin publik.

Rekomandimet kryesore nga pjesëmarrësit përfshinin ruajtjen e bashkëpunimit ndër-sektorial, vazhdimin e fushatave të ndërgjegjësimit publik dhe zgjerimin e shërbimeve të mbështetjes sociale dhe ligjore për të mbijetuarat. Duke u bazuar në këto rekomandime, “Zensko Pravo” vazhdoi të punojë me përfaqësues nga pushteti lokal, policia, shërbimet shëndetësore dhe sociale edhe pas përfundimit të nismës, për të siguruar bashkëpunim të vazhdueshëm. Në partneritet me organizata të tjera, ata realizuan edhe një fushatë tjetër të ndërgjegjësimit publik, me materiale informuese që u shpërndanë për qytetarë dhe dy ngjarje publike.

Ndihma juridike falas dhe mbështetja psiko-sociale për viktimat e dhunës vazhdon të ofrohet nga “Zensko Pravo”, falë burimeve shtesë të financimit. “Numri i përfituesve të këtyre shërbimeve është në rritje, gjë që ne e shohim si tregues pozitiv të besimit dhe të ndërgjegjësimit të shtuar te gratë për të drejtat e tyre”, thotë Ružica Simić, Drejtoreshë e “Zensko Pravo”. “Zensko Pravo” është gjithashtu në proces të krijimit të një ekipi mobil për të ofruar mbështetje në terren për viktimat, me synim zgjerimin e qasjes në shërbime të specializuara.

Nisma e “Zensko Pravo” hapi rrugën drejt një shoqërie më të sigurt dhe më të drejtë, ku të drejtat e të gjitha të mbijetuarave njihen dhe mbrohen. Mësimet e nxjerra dhe partneritetet e ndërtuara vazhdojnë të udhëheqin përpjekjet drejt ndryshimit të qëndrueshëm.

Nisma e Zensko Pravo “Parandalimi i dhunës ndaj grave në veriun e Kosovës – të mbrojtura dhe të sigurta” u realizua me mbështetjen e Fondit të Grave të Kosovës (FGK), i Rrjetit të Grave të Kosovës (RrGK), financuar nga Agjencia Austriake për Zhvillim (ADA) dhe bashkëfinancuar nga Agjencia Suedeze për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ndërkombëtar (Sida), në shumën prej €4,927, nga tetori 2021 deri në prill 2022. Kjo nismë kontribuoi drejtpërdrejt në Programin e RrGK-së “Jeta pa dhunë me bazë gjinore”.