Sot me 15 mars, Ministrisa e Tregtisë dhe Industrisë (MTI), Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapsinor (MMPH), Ministria e Financave (MeF) dhe Rrjeti i Grupeve të Grave të Kosovës (RrGGK) lansuan iniciativën e re për institucionalizimin e Buxhetimit të Përgjegjshëm Gjinor (BPGJ) brenda MTI dhe MMPH. Kjo inicativë po mbështetet nga projekti i USAID-it, Partneritetet për Zhvillim.
Në këtë lansim mori pjesë edhe Shkëlqësia e saj, zn. Atifete Jahjaga, Presidente e Republikës së Kosovës, e cila përgëzoi ministritë në fjalë, projektin e USAID-it Partneritetet për Zhvillim, dhe RrGGK-në për lansimin e këtij projekti. Në fjalinë e saj hyrëse, Presidentja u shpreh: “Shpesh herë kemi thënë se Kosova ka një infrastrukturë ligjore të garantimit të barazisë gjinore, por kemi identifikuar dhe kemi parë se zbatimi i saj në praktikë është një pikë e dobët e jona. Buxhetimi i Përgjegjshëm Gjinor tashmë është pjesë e kornizave legjislative të vendit e cila kërkon nga të gjitha institucionet publike si ato në nivelin qendror, por edhe ato në nivelin lokal të integrojnë barazinë gjinore në projektimin e politikave zhvillimore dhe në shpenzimin e parasë publike”.
Duke u bazuar në këtë, Ministri i Financave Dr. Avdullah Hoti, tregoi se si këto shpenzime për shembull do të mund të shkonin në faktorë kyç të zhvillimit të shtetit, siç është edukimi, në mënyrë të barabartë.
Ministrija e Tregtisë dhe Industrisë, zn. Hykmete Bajrami vuri në fokus të veçantë gratë dhe shoqërinë civile duke theksuar rëndësinë e një planifikimi buxhetor me pjesëmarrje gjithpërfshirëse me një proces demokratik.
"Gratë duhet të bëhen pjesë e çdo faze të planifikimit buxhetor” tha Ministrja Bajrami. “Bashkëpunimi me shoqërinë civile për këtë është me rëndësi jetike".
Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, z. Ferid Agani vlerësoi Presidenten Atifete Jahjaga, që gjatë mandatit të saj i ka dedikuar kohë dhe punë temave të rëndësishme si këto. Sa i përket BPGJ-së në ministrinë që ai drejton, ai u deklaruar se është kurioz për të parë se çfarë do të sjellë analiza buxhetore në ministrinë e tij dhe efektet që BPGJ do të ketë në planifikimin mjedisit, veçmas në planifikimin hapësinor.
Ndërsa, Drejtori i Misionit të USAID-it në Kosovë, z. James Hope u shpreh se ndihet i nderuar të jetë në mesin e folësve kaq të fuqishëm të cilët kanë marrë iniciativë për të siguruar barazi.
Në fund, zn. Igballe Rogova, Drejtore Ekzekutive e RrGGK u shpreh “10 vite më parë kemi filluar të përmendim se ndryshimet fillojnë kur të bashkohen tri forcat: qeveria, donatorët dhe shoqëria civile. Dhe ne sot e vërtetuam se kjo është e mundur.”
Në muajt e ardhshëm, RrGGK do të punojë me këto dy ministri, duke siguruar mbështetje teknike drejt institucionalizimit të BPGJ-së.