Në shkollat e Kosovës, heshtja rreth ngacmimeve seksuale ka qenë e pranishme për shumë kohë. Për shumë të rinj, të rriturit nënkupton hyrjen në klasa ku kjo temë nuk diskutohet kurrë, librat shkollorë mezi e prekin, dhe nxënësit, sidomos vajzat, mbeten pa dijeninë ose vetëbesimin për ta njohur apo raportuar abuzimin. Kjo heshtje sjell pasoja: të rinjtë që përballen me ngacmime mbeten vetëm, të frikësuar nga stigma dhe të pasigurtë se ku të kërkojnë ndihmë.
OJQ Ura Sociale, me qendër në Vushtrri, vendosi ta ndryshojë këtë realitet. E udhëhequr nga zërat e nxënësve, mësimdhënësve dhe familjeve, nisma e saj u ndërtua jo vetëm për të ngritur vetëdijen, por edhe për të ofruar mjete praktike, vetëbesim dhe hapësira të sigurta.
Gjatë nismës, 125 nxënës nga tre shkolla të mesme të Vushtrrisë u bashkuan në një program që kombinonte ngritjen e vetëdijes, dialogun dhe udhëzimin praktik. Në punëtoritë e udhëhequra nga trajnerët e Urës Sociale, adoleshentët folën hapur se çfarë është ngacmimi seksual, si ndodh dhe si mund të ndalohet. Sesionet shkuan përtej përkufizimeve të thjeshta dhe u shndërruan në hapësira të sigurta ku nxënësit ngritën pyetje të vështira, reflektuan mbi përvojat e tyre dhe mësuan se zëri i tyre ka peshë.
Edhe stafi shkollor iu bashkua procesit. Gjashtëmbëdhjetë edukatorë, udhëheqës shkollash dhe psikologë morën pjesë në seanca trajnimi të dizajnuara për t’i ndihmuar ata të njohin shenjat e ngacmimit dhe të përgjigjen me ndjeshmëri dhe përgjegjësi. Për shumë prej tyre, ishte hera e parë që iu qasën mësimdhënies së tyre përmes një qasjeje të ndjeshme ndaj gjinisë, duke kuptuar se dinamika e klasës mund ose ta forcojë heshtjen, ose ta nxisë respektin dhe barazinë.
Mësuesi Ibrahim Lahu, tani drejtor i Shkollës së Mesme Profesionale “Lutfi Musiqi”, thotë: “Nxënësit shprehën interes të madh për këto ligjërata, duke treguar se kanë nevojë për më shumë diskutime të hapura mbi parandalimin e ngacmimit seksual. Projekti dëshmoi se trajtime të tilla duhet të bëhen pjesë e përhershme e procesit edukativ.”
Prindërit poashtu ishin pjesë e kësaj iniciative përmes një takimi të dedikuar për ta, ku nënat dhe baballarët u inkurajuan të thyenin tabutë e vjetra dhe të flisnin me fëmijët e tyre për sigurinë, respektin dhe dinjitetin.
Hap pas hapi, dija u shndërrua në vetëbesim. Nxënësit dolën nga sesionet me një kuptim më të qartë të të drejtave të tyre dhe me guximin për të folur hapur. Më shumë se 90% e nxënësve e vlerësuan shumë këtë proces. Ajo që filloi si diskutime të udhëhequra, shpejt u shndërrua në një kulturë ndërgjegjësimi mes bashkëmoshatarëve, ku nxënësit ndanin atë që kishin mësuar edhe me shokët e tyre. Përmes këtij shkëmbimi të njohurive, të mbështetur me materiale informuese dhe fushata online, nisma arriti indirekt tek më shumë se 1,500 bashkëmoshatarë. Edhe prindërit dolën të fuqizuar, me njohuri dhe vetëbesim për të bërë këto biseda të rëndësishme në shtëpi, duke e kthyer heshtjen në besim dhe dialog. Mësuesit fituan mjete praktike dhe një ndjenjë të re përgjegjësie, dhe shumë prej tyre kanë vazhduar të trajtojnë temën e ngacmimeve seksuale në klasa, nganjëherë edhe gjatë aktiviteteve shkollore, duke e mbajtur gjallë bisedën edhe pas përfundimit të iniciativës.
Nisma e Ura Sociale “Ngritja e vetëdijes për parandalimin e ngacmimeve seksuale” u realizua me mbështetjen e Fondit të Grave të Kosovës (FGK), i Rrjetit të Grave të Kosovës (RrGK), financuar nga Agjencia Austriake për Zhvillim (ADA) dhe bashkëfinancuar nga Agjencia Suedeze për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ndërkombëtar (Sida), në shumën prej 4,318€, nga tetori 2021 deri në mars të vitit 2022. Nisma kontribuoi drejtpërdrejt në Programin e RrGK-së “Edukimi që transformon normat gjinore”.