Takimi i Iniciativës për Fuqizimin e Vajzave (IFV) i mbajtur me 5 korrik mblodhi 16 vajza nga OJQ dhe institucione të ndryshme në Prishtinë.
Vajzat diskutuan problemet dhe çështjet me të cilat ato përballen në përditshmëri dhe strategjitë e tyre për t’i tejkaluar këto çështje. Sfidat kryesore të cilat ato i identifikuan përfshinin çasjen e vajzave në arsimim dhe kujdes shëndetësorë, martesat e hershme, konfliktin ndërmjet gjeneratave, religjionin dhe barazinë gjinore.
“Takimi kishte një vlerë të madhe për ne; na e dha mundësinë të identifikojmë problemet me të cilat përballen vajza të ndryshme në Prishtinë,” tha një pjesëmarrëse. “Në këtë takim ne shkëmbyem përvoja dhe ide për zgjidhjen e këtyre problemeve.”
Vajzat besojnë se hapat e parë drejtë tejkalimit të sfidave me të cilat ato përballen është ngritja e vetëdijes në mesin e vajzave për të drejtat e tyre dhe zhvillimi i aftësive të komunikimit.
“Vajzat duhet të punojnë shumë për të zhvilluar aftësitë e tyre të komunikimit dhe të jenë të hapura me të tjerët kur ato shprehin mendimet e tyre,” tha Arbnora Gosalci. “Vetëm duke ngritur zërin tonë ne mund të adresojmë shqetësimet tona dhe të arrijmë synimet tona.”
Vajzat u inkurajuan që të vazhdojnë të mendojnë ide për tejkalimin e çështjeve me të cilat ato përballen. Ato do të sjellin idetë e tyre në takimet a ardhshme.
IFV rrodhi nga interesat e anëtareve të RrGGK për të mbështetur qëndrueshmërinë e organizimit të grave në Kosovë. Ajo ka për qëllim të përfshijë më shumë vajza në lëvizjen e grave duke i fuqizuar ato për të avokuar për shqetësimet dhe nevojat e tyre. Ky ishte takimi i pestë, që pasoi diskutimet e mëparshme të mbajtura në Prizren, Gjilan, Mitrovicë dhe Gjakovë. IFV mbështetet nga Kvinna till Kvinna.