Dhjetëra vajza dhe gra të Hanit të Elezit janë informuar në lidhje me trajtimin e problemeve psiko-sociale dhe ekonomike të shkaktuar si pasojë e izolimit nga Covid-19. Punëtoria është mbajtur më 30 shtator nga organizata anëtare e Rrjetit të Grave të Kosovës (RrGK), Instituti për Dialog dhe Mosdiskriminim në kuadër të nismës “Trajtimi i problemeve psiko-sociale dhe ekonomike tek gratë të shkaktuara nga COVID-19”, financuar nga Bashkimi Evropian dhe mbështetur nga RrGK.
Nisma synon që gratë të jenë të informuara në mënyrë që të krijohet një mjedis i rehatshëm për një jetë normale për gratë, duke parandaluar dhunën me bazë gjinore dhe pasojat e COVID-19.
Rovena Tujani Klinaku, avokate dhe drejtuese e Institutit për Dialog dhe Mos-Diskriminim ka shpjeguar se projekti ka të bëjë me sensibilizimin e grave në mbarë Kosovën.
“Pjesa e parë është në trajtimin psiko-social të saj, efektet që kanë lënë, distresi, ankthi, depresioni. Pjesa e dytë ka të bëjë me këshilla juridike falas në të cilat janë kategoritë e këshillave të dhunës në familje, pra dhunën me bazë gjinore, dhuna fizike, psikologjike, seksuale dhe ekonomike”, ka thënë Tujani Klinaku.
Ajo tha se gratë janë shumë pak të informuara për “dhunën ekonomike.”
“Fatkeqësisht te çështja e dhunës ka shumë pak vetëdijesim, sidomos për dhunën ekonomike, trashëgiminë por edhe për dhunën fizike. Te dhuna ekonomike kemi folur për rastin e divorcit edhe rastin kur ai ia merr trashëgiminë nga familjarët e saj. Mund të themi një përqindje shumë e madhe, mbi 70% të grave nuk kanë informacionin bazik”, ka theksuar Tujani Klinaku.
“Disa prej tyre mendojnë që nëse nuk janë të lidhura me kurorë martesore ato nuk kanë asnjë të drejtë ekonomike financiare, ose nëse në familjen e tyre nuk ka trashëgimtarë fëmijë ato nuk janë përfituese.”
Elma Myftari, neuropsikologe klinike dhe psikofarmakologe, tha se gjatë kësaj punëtorie janë vënë në pah dezinformimet që kanë ndodhur gjatë kohës së pandemisë.
“Informacionet në lidhje me COVID-19 janë marrë kryesisht nga burime jo të sakta të informacionit, pastaj kjo ka sjellë edhe komplikimin e situatës për trajtim, për rehabilitim dhe për fazën post-COVID që me u përmbyll pandemia sa më shpejt”, ka shpjeguar ajo.
Kimete Kuka, Drejtoreshë për shëndetësi dhe mirëqenie sociale në Komunën e Hanit të Elezit tha se mungesa e stafit shëndetësor vështirëson situatën. Në shkollat në Han të Elezit nuk ka asnjë psikolog.
Sara Berisha tha se si studente ka pasur sfida gjatë pandemisë dhe karantinës.
“Ishte një takim shumë i mirë për të cilin besoj se kemi pasur nevojë krejt si gra. Mësova shumë për shëndetin mental, edhe për psikologët, psikiatrin, dhe mendoj që çdo njeri që ka nevojë duhet të shkojë të vizitohet pa hezituar ose pa pasur ndonjë kompleks” – tha Berisha.
Ky projekt përkrahet nga Fondi i Grave të Kosovës me mbështetjen e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë përmes nismës së Rrjetit të Grave të Kosovës “Ngritja e kapaciteteve dhe qëndrueshmërisë së OShC-ve: Avancimi i barazisë gjinore në mes të pandemisë COVID-19”.